Në aeroportin “Leonardo da Vinçi” në Fiumicino (Romë) është inauguruar skulptura më e re e artistit durrsak, Helidon Xhixha. Skulptura, e titulluar “Hedhja e dritës”, është vendosur jashtë terminalit të aeroportit të njohur të kryeqytetit italian.

Kjo vepër monumentale, prej çeliku detar dhe korteni, i përngjet një fari që shpërbën dritën, duke e thyer dhe shumëfishuar në reflektime të pafundme, sikur të donte të tregonte kompleksitetin dhe paparashikueshmërinë e rrugëtimit njerëzor, raportojnë mediet italiane.

Me lartësinë 10,7 metra, gjatësinë 4,8 metra dhe 4,2 metra të thellë, skulptura nuk është thjesht një objekt dekorativ, por është një manifest, një ftesë për të perceptuar kalimin jo thjesht si shpejtësi, por si një moment plot mundësi.

Vetë artisti nënvizoi se si drita, duke luajtur në sipërfaqen reflektuese të çelikut, bëhet një metaforë për lidhjen, shpresën dhe hapjen midis së shkuarës dhe së ardhmes.

Të pranishmit që morën fjalën gjatë ceremonisë së inaugurimit theksuan se, aeroporti sot, nuk duhet të konceptohet më si një qendër e thjeshtë logjistike, por si një vend ku bukuria, historia dhe inovacioni mund të takohen për të krijuar një përvojë unike.

Sipas këtij vizioni, Fiumiçino do të jetë një urë lidhëse midis Romës së përjetshme dhe botës moderne, një mikrokozmos në të cilin pasqyrohen ambiciet kulturore dhe sociale të kohës sonë.

Helidon Xhixha është një artist i njohur me famë ndërkombëtare ku veprat e tij janë ekspozuar në sheshe të ndryshme të botës.