Skulptura “Peshkatari” e artistit Dylber Neziraj, një vepër e njohur dhe simbolike për qytetin e Durrësit, ka pësuar dëmtime disa ditë më parë. Vepra, e vendosur pranë “Sfinksit” në Durrës, ishte restauruar dhe rivendosur me kujdes nga Agjencia e Parqeve Urbane pas dëmtimeve të herëshme, por ndodhi përsëri një incident nga persona të papërgjegjshëm që solli dëmtimin e saj.
Pas konstatimit të dëmit, Agjencia e Parqeve Urbane ka ndërhyrë menjëherë, duke restauruar skulpturën dhe duke e vendosur përsëri në vendin e saj.
Ky restaurim është realizuar me kujdesin dhe profesionalizmin e nevojshëm, për t’u siguruar që skulptura të ruajë vlerën e saj artistike dhe historike për qytetin e Durrësit. Vendosja e saj në vendin e dikurshëm ka rikthyer kështu një element të rëndësishëm të artit dhe kulturës qytetare, duke përmirësuar edhe imazhin e qytetit.
Vepra e Neziraj është një pjesë e rëndësishme e identitetit të qytetit bregdetar dhe një simbol i lidhjes së Durrësit me traditat dhe historinë e tij të pasur kulturore.




