Për 3 ditë me radhë, në bregdetin e Shkëmbit të Kavajës, 16 artistë nga Shqipëria, Kosova, Italia, Kina etj shpalosën talentin e tyre në realizimin e skulpturave në rërë.
Procesi i punës tërhoqi jo pak vëmendjen e turistëve vendas dhe të huaj.
Eventi “Seaside sandart” i organizuar për herë të parë në bregdetin e Durrësit u kurua nga arkitekti Indrit Hamiti dhe pati mbështetjen e bashkisë dhe klubit Rotarakt Durrës.
“Është konceptuar si një qark me 12 skulptura, të cilat simbolizojnë orën, pra përkohshmërinë, faktin që ndjenjat janë të përkohshme. Është menduar si një aktivitet që i bashkohet aktiviteteve të tjera të hapjes së sezonit artistik në Durrës. Kemi shpresë që ta kthejmë në aktivitet të përvitshëm”,- tha për “DurrësLajm” kuratori Hamiti.
Në rërë, 16 skulptorët shpalosën gjithë potencialin e tyre artistik duke realizuar vepra që në pjesën më të madhe të tyre frymëzoheshin nga ngjarje reale apo personazhe të kulturave nga vinin. Shumë nga artistët bëheshin për herë të parë pjesë e një konkursi të tillë.
“Është një eksperiencë e mirë, po provojmë të bëjmë një portret, një kokë femre, me flokë dhe flatrat, që simbolizojnë identitetin tonë shqiptar”,- na tregon artisti nga Kosova Arton Behrami.
Për studenten e vitit të tretë Rabi Çollaku puna me rërën nuk është aq e lehtë: “Është një eksperiencë shumë atraktive. Pak e dyshimtë rëra, por do përpiqemi t’ia dalim. Ideja ime fillestare për këtë punim ishte puthja e malit me detin”.
Edhe për skulptorët e huaj, ky event mbetet një eksperiencë unike.
“Kjo vepër që shihni pas nesh është një panda. Kemi realizuar deri më tani kokën e saj dhe më pas do të vijojmë me trupin”,– rrëfen artisti kinez Qiu Ju.
Ndërsa skulptori tjerër kinez Tian Guojun është më filozofik në artin e tij: “Me skulpturën time kam dashur të sjell filozofinë orientale. Vepra është e ndarë në dy pjesë dhe përfaqëson Yin dhe Yang, dy forca të kundërta që ndodhen në konflikt të përhershëm me njëra-tjetrën”
Pas një pune voluminoze të realizuar nga secili prej skulptorëve, juria e përbërë nga emra të njohura të artit shqiptar vlerësoi më të mirët.
Çmimin e parë e rrëmbeu artisti nga Kosova, Selam Kastrati, i cili realizoi në rërë një ide të inspiruar nga e dashura e tij. Vepra përfaqësonte një përqafim intim mes çiftit, që i përngjet një oktapodi, ku gjymtyrët shkrihen në një nga forca e dashurisë.
Eventi “Seaside sandart” përkoi me hapjen zyrtare të sezonit turistik në Durrës dhe pati jehonë edhe në rrjetet sociale të kryeministrit Edi Rama dhe kryebashkiakes Emiriana Sako.
M.B.