Sllovakia është tashmë shteti i dytë anëtar i Bashkimit Evropian që ka përfshirë në vaksinimin masiv të popullsisë edhe vaksinën ruse Sputnik V, e cila nuk është miratuar ende nga Rregullatori Evropian i Barnave EMA.

Sllovakia kishte në ruajtje 200,000 dozat e vaksinës Sputnik V të marra nga ish-kryeministri Igor Matovic, por institucionet shëndetësore vendase nuk e kishin lejuar përdorimin e saj deri më tani.

Para vendimit të ri të qeverisë sllovake, Hungaria ishte vetmi shtet i BE-së që ka përdorur Sputnik V në fushatën e saj të vaksinimit. 

Fqinjët e Sllovakisë, Çekia, Hungaria dhe Austria kanë vendosur që në kuadër të lehtësimit të masave për levizjen e qytetarëve brenda BE-së të njohin certifikatat e shtetasve sllovakë të vaksinuar me Sputnik V.

Rusia ka miratuar vaksinën e saj vitin e kaluar, duke u bërë vendi i parë në botë me vaksinë kundër koronavirusit.

Kjo ka bërë që shkencëtarët në gjithë botën të vënë në dyshim sigurinë dhe efikasitetin e saj, pasi ajo është regjistruar përpara se studimet e fazës së tretë të testimit të bëheshin të disponueshme.

Por, në fillim të shkurtit, rezultatet e testimeve të publikuara në revistën globale mjekësore Lancet, kanë treguar se Sputnik V – vaksinë që jepet në dy doza – është 91.6 për qind efektive kundër koronavirusit.

Kjo përqindje është e ngjashme me atë të vaksinave të zhvilluara në Perëndim.

Vaksina ruse është miratuar për përdorim në rreth 30 vende.