Specialistët kundër Krimit Ekonomik dhe Financiar në Durrës godasin një rast informaliteti.

Në sajë të operacionit të koduar “Smoking”, u arrestua një 51-vjeçar që tregtonte cigare dhe mallra ushqimore pa pullë dhe faturë tatimore.

Është arrestuar në flagrancë shtetasi B. Leka 51 vjeç, banues në Tiranë.

Arrestimi i tij u bë pasi në bazë të informacioneve të disponuara nga Strukturat Policore u kap duke treguar paketa cigaresh dhe mallra të ndryshme ushqimore pa pullë dhe pa faturë tatimore.

Në lagjen nr. 13, gjatë kontrollit të ushtruar në mjetin e tij u gjetën dhe sekuestruan në cilësinë e provave materiale:

• 1 300 paketa cigare të markave të ndryshme pa pullë dhe pa faturë tatimore;

• mallra të ndryshme ushqimore pa faturë tatimore”.

Policia informon se i arrestuari ka qenë i dënuar edhe më parë për të njëjtën vepër penale.

Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Durrës për veprime të mëtejshme për veprat penale “Tregtimi dhe transporti i mallrave që janë kontrabandë” dhe “Fshehja e të ardhurave” parashikuar në nenet 178/2 dhe 180 të Kodit Penal.