TIRANE, 20 mars 2013– Gjykata e Apelit për Krimet e Rënda la në fuqi dje masën e sigurisë “arrest me burg” në mungesë për Arben Frrokun, biznesmenin e dyshuar për vrasjen e kryekomisarit Dritan Lamaj më 24 shkurt të këtij viti. Kërkesa në Apel për ndryshimin e masës së caktuar nga Gjykata e Shkallës së Parë më 26 shkurt u bë nga Tonin Prendi, avokati i të dyshuarit për atentatin ndaj kryekomisarit. Prova kryesore e paraqitur para gjykatës nga prokuroria ishte një përgjim i bërë ndaj Arben Frrokut disa minuta pas vrasjes së Dritan Lamajt.
Në këtë përgjim, sipas akuzës, biznesmeni komunikonte me mesazh me një të njohur duke i thënë se “kam mbaruar një punë të madhe”. Aktualisht, biznesmeni Arben Frroku ndodhet në gjendje arresti në Greqi, ku u ndalua pas ngjarjes së rëndë të ndodhur në Tiranë. Biznesmeni është në pritje të ekstradimit drejt Shqipërisë bashkë me shtetasin Jak Jaku. Në një vendim të shpallur dje në orën 14:30, një treshe gjykuese e Apelit, e kryesuar nga gjyqtarja Dhurata Haveri, vendosi të rrëzojë kërkesën e avokatit Tonin Prendi për shfuqizimin e “arrestit me burg” ndaj të dyshuarit Frroku.
AVOKATI
Në kërkesën e tij, avokati Prendi pretendonte se ekzistonin prova të mjaftueshme për të vërtetuar se klienti i tij nuk kishte lidhje me ngjarjen. Vetë mbrojtësi bëri të ditur pas seancës se provat e paraqitura pranë gjykatës janë pamje filmike të cilat provojnë se biznesmeni Frroku ka kaluar qytetin e Elbasanit në momentin që ka ndodhur ngjarja. Bëhet fjalë për pamje të siguruara nga kamerat e disa subjekteve private, biznese dhe karburante. Tjetër argument i paraqitur nga mbrojtësi ka qenë tabulatet e telefonave celularë, si edhe fakti që i mbrojturi prej tij, Arben Frroku, ditën e ngjarjes ka ndjekur një tjetër itinerar rruge, që nuk kalonte pranë vendit ku u vra kryekomisari.
Avokati: SMS është për biznesin, jo për vrasjen
I pyetur në lidhje me përgjimin telefonik të biznesmenit, të paraqitur si provë nga ana e Prokurorisë, avokati u shpreh: “Mund të them që nuk ka asnjë lidhje direkte ky mesazh me atë që po hetohet. Është thjesht një mesazh i shkëputur që ‘kam kryer një punë’. Përmes një telefonate ky shtetas thotë që kam kryer një punë. Ai ka angazhime të mëdha, biznese të ndryshme në Shqipëri. Nuk mund të thuhet që kam kryer një punë dhe të bëhet lidhja automatikisht me vrasjen”.
/a.b. Panorama/





