Kompania celulare Vodafon ka sqaruar se mesazhi në emrin e kryedemokratit Lulzim Basha, i dërguar dy net më parë moderatores dhe gazetares Eni Vasili teksa intervistonte kryeministrin Edi Rama, është dërguar nga një platformë e huaj dhe i është vendosur si identitet numri i kreut të opozitës.

Ka qenë Sekretari i Përgjithshëm i PD, Gazment Bardhi, i cili ka postuar në Facebook përgjigjen e Vodafon ndërsa thekson se po përdoren lojra të pista për të sulmuar opozitën.

“E vërteta është më e qartë dhe e pastër se çdo lojë e pisët apo maskë e skaduar. Le ta shohin dhe gjykojnë vetë shqiptarët se kush e ka mendjen tek pushteti dhe përdor mesazhe të sajuara kundër kreut të opozitës. Me qëllimin e vetëm, të largojë vëmendjen nga propozimi ynë që ndihmon realisht qytetarët dhe biznesin për të përballuar krizën.”, shkruan Bardhi.

“I nderuar z. Hasa,

Jemi informuar në lidhje me ngjarjen e SMS-së së klientit tonë Z.Lulzim Basha përmes letrës suaj më 19.03.2020. Vodafone Albania ka ndërmarrë veprime të menjëhershme për të investiguar rastin në fjalë dhe nga analiza e kryer rezulton se:

SMS’ja e marrë në numrin 06xxxx80 në datë 18.03.2020 në orën 23:00:22 është origjinuar nga një platformë e huaj SMS në internet për dërgimin e sms-ve, jashtë rrjetit Vodafone, ku në ID-në e dërguesit është vendosur numri 06xxxx70 dhe nuk rezulton si SMS e vërtetë e dërguar nga numri 06xxxx70 i mbajtur nga z. Basha.

Përveç kësaj, nga ekrani i printuar i komunikimeve midis z.Lulzim Basha dhe numrit 06xxxxx80, dëshmohet se sms-ja e marrë është në formën e një sms-je të thjeshtë, ndërkohë që korrespondenca normale midis z.Lulzim Basha dhe numrit 06xxxxx80 është në formë e i-mesazhe (i-message).

Duke marrë parasysh sa më sipër, konkludojmë se SMS-ja nuk është gjeneruar nga numri i klientit tonë Z.Lulzim Basha.

Vodafone Albania do të donte t’ju siguronte që ne mbrojmë integritetin e rrjetit tonë dhe të dhënat personale të klientëve tanë me masat më të mira të sigurisë dhe mbrojtjes së të dhënave personale në të gjithë botën. ne mbetemi plotësisht të përkushtuar për të bashkëpunuar me ju dhe autoritetet shtetërore përkatëse gjatë hetimit të çështjes në fjalë”, thuhet në përgjigjen e Vodafone.