TIRANE, 28 shkurt 2013– Ai vajti në banesën e fundit, tani atje do shkosh dhe ti…". Mesazhi kërcënues ka mbërritur në telefonin e ish-shefit të krimeve të komisariatit nr.6 në Tiranë, Arjanit Arapi, pak minuta pasi ish-eprori i tij, kryekomisar Dritan Lamaj, kishte mbetur viktimë e një atentati mafioz në zonën e "Vasil Shantos" në Tiranë, pak metra larg shtëpisë së tij. Kaq ka mjaftuar që Arapi, i cili prej disa kohësh mban detyrën e shefit të komisariatit të Pogradecit, të njoftojë zyrtarët e policisë, pasi kishte marrë një kërcënim të drejtpërdrejtë për jetën dhe aq më shumë në momentin kur miku i tij, Lamaj ishte qëlluar me 28 plumba kallashnikovi dhe kishte ndërruar jetë. "Mesazhi kërcënues që i ka mbërritur në telefon zyrtarit të policisë, Arianit Arapi është administruar në dosje hetimore. Është bërë kqyrja e telefonit dhe oficeri është marrë në mbrojtje të posaçme", tha një burim i besuar i Prokurorisë së Krimeve të Rënda për "GSH". Oficeri Arjanit Arapi, i kontaktuar përmes telefonit nuk pranoi kurrsesi të ketë marrë ndonjë mesazh kërcënues për jetën, madje ai tha se është në mbrojtje të rendit dhe sigurisë publike. "Nuk kam marrë asnjë mesazh kërcënues. Unë jam në mbrojtje të rendit dhe sigurisë publike, duke ushtruar detyrën time në krye të komisariatit të Pogradecit", tha Arapi për "GSH". 

Arianit Arapi, i cili ka ushtruar detyrën e shefit të Krimeve në komisariatin e Kombinatit, ka qenë në jo pak raste prezent, kur kryekomisar Lamaj ka pasur përplasje me biznesmenin Arben Frroku dhe të njohur të këtij të fundit. Ai ka pasur dijeni për të gjithë konfliktin mes Lamajt dhe Frrokut, edhe pse asnjëherë nuk është konfliktuar me këtë të fundit, apo persona të rrethit të tij shoqëror dhe familjar. Pavarësisht kësaj, mesazhi kërcënues duket se ka vënë në alarm krerët e policisë, të cilët ditë pas dite po humbasin në atentate, efektivë blu. Ndaj, pa hezituar i kanë siguruar mbrojtje të posaçme. Ndërkaq, prokuroria po heton për të hedhur dritë se kush e ka dërguar mesazhin kërcënues në telefonin e Arianit Arapit, fill pas ekzekutimit të Dritan Lamajt. 

Për ekzekutimin e kryekomisarit në pranga është vënë në Selanik të Greqisë, pronari i "Xhoi lloto", "Inkas kafe" si dhe aksioneri i klubit sportiv "Tërbuni", Arben Frroku, që pati përplasje publike me Lamajn. Por prokuroria nuk ka ngritur dot gishtin mbi Frrokun, si i dyshuar për mesazhin kërcënues në adresë të krahut të djathtë të Lamajt, Arjanit Arapit.