Mesazhet kërcënuese në telefonin e Kryeprokurorit të Republikës dyshohet se janë nisur nga burgu. Pak orë pas publikimit të lajmit se Kryeprokurori Adriatik Llalla është kërcënuar dhe për këtë arsye ka larguar familjen drejt një vendi të BE-së, ku ruhet 24 orë, burime nga Ministria e Punëve të Brendshme pohojnë se për mbrojtjen e tij janë caktuar 3 grupe të gatshme.

Burime të sigurta pranë Prokurorisë se Përgjithshme pohojnë se kërcënimi ka ardhur përmes mesazhit në telefonin personal të kryeprokurorit. Gazetarja Klodiana Lala, duke cituar burime pranë Prokurorisë deklaroi se Llalla ka marrë kërcënime gjatë muajit qershor dhe flitet se mesazhi telefonik mund të ketë ardhur nga burgu.

Mesazhet kërcënuese kanë vijuar dhe më pas, përmes të cilave kryeprokurorit i është kërkuar të mos vazhdojë hetimin e disa çështjeve. Më konkretisht thuhet se i kanë kërkuar mos vijojë hetimin mbi një çështje ku të akuzuar janë një grup i strukturuar kriminal për trafik droge dhe gjobëvënie.

Pas kësaj prokurori i përgjithshëm ka larguar familjen, bashkëshorten dhe dy fëmijët jashtë shtetit ku aktualisht ato jetojnë në një vend të Bashkimit Europian. /Balkanweb