Tiranë, 3 prill 2014 – Pas thirrjeve, edhe mesazhet e shkruara mes rrjeteve janë më të lira. Autoriteti i Komunikimeve Elektronike dhe Postare (AKEP) ka vendosur të ulë tarifat që operatorët celularë i paguajnë njëri-tjetrit për terminimin e mesazheve në rrjetet respektive.
Që nga data 1 Prill, kjo tarifë është bërë 1 lekë, nga 1.44 lekë që ishte përpara kësaj date. Kjo lëvizje pritet të forcojë më shumë konkurrencën mes operatorëve për këtë shërbim dhe rrjedhimisht ta bëjë atë më të lirë për përdoruesit. Ulja e tarifa të terminimit për mesazhet e shkruara ka hyrë në fuqi njëkohësisht me uljen e tarifave edhe për thirrjet zanore.
Duke filluar nga data 1 Prill, tarifat e terminimit janë ulur në 2.66 lekë “AMC”, “Vodafone”, 4 lekë për “Eagle Mobile” dhe 6.52 lekë për “Plus”. Ulja do të vazhdojë përgjatë dy viteve dhe në Janar 2016, kjo tarifë do të arrijë në 1.48 lekë për të katër operatorët. Vendimet e AKEP synojnë t’i japin fund diferencimit të madh që ka ekzistuar në vitet e fundit mes tarifave brenda rrjetit dhe atyre jashtë rrjetit.
Për të mbajtur përdoruesit brenda rrjeteve të tyre, operatorët dhe në veçanti ata me pjesë më të madhe në treg, kanë aplikuar tarifa tejet të larta jashtë rrjetit. Kjo i ka detyruar përdoruesit të mbajnë disa numra celularë, për të komunikuar brenda secilit rrjet. Në Shqipëri numërohen 5.3 milionë karta SIM aktive, për një popullsi prej 2.8 milionë banorësh, çka do të thotë pothuajse dy numra celularë për çdo qytetar.
/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/





