Hotelet në Durrës janë gati për sezonin e ri turistik dhe në pritje të turistëve por këta të fundit mungojnë.
Duke ndjekur protokollin e masave anticovid të ministrisë së Shëndetësisë dhe asaj të Turizmit, njësitë akomoduese përgjatë bregdetit të Durrësit kanë çelur dyert për verën e pazakontë të 2020-ës.
“Hotelet në përgjithësi janë gati dhe të them të drejtën mezi e kam pritur këtë moment, por turistët nuk janë akoma gati që të vijnë”.
Kështu deklaron për “DurrësLajm” drejtori i Royal G Hotel & SPA, Blerim Norja ndërsa tregon se prenotimet e para gjatë qershorit kanë qenë kryesisht nga turistë vendas, ndërsa prej javës që kaloi kanë ardhur pushues nga Kosova.
Ndonëse kontratat me kompanitë e huaja vijojnë të jenë aktive, për drejtorin Norja ky sezon do të jetë i paparashikueshëm dhe nuk dihet nëse ato do të mund të realizohen.
“Ky sezon do jetë shumë i çuditshëm, i paparashikueshëm sepse asgjë nuk është konkrete. Ne kemi akoma aktive me kompanitë e huaja që duhet të operonim me këtë sezon. Kontrata të cilat nuk janë anuluar por nuk e dimë sa do të realizohen,”, thotë ai.
Vitet e kaluara në këtë periudhë, resortet dhe hotelet në bregdetin e Durrësit kanë qenë plot me pushues të huaj nga vendet nordike.
Por ky treg sipas Norjas, mbetet ende i paqartë dhe ekziston mundësia që të anulojnë vizitat turistike në vendin tonë. Ndaj krijimi i ofertave për të përthithur pushues rajonalë është në fokusin e tyre për të plotësuar disi mungesat e turistëve të huaj.
“Po tentojmë të gjitha mënyrat për të qenë sa më atraktivë, të paktë për turizmin rajonal, të cilët për momentin janë klientët tanë potencialë, Kosova, Maqedonia, Mali i Zi. Jemi munduar të bëjmë oferta joshëse që të afrojmë këtë lloj tregu.”, shprehet Norja.
Në krahasim me sezonin e kaluar, çmimet këtë vit janë ulur deri në 30%, dhe kjo ka patur kosto për operatorët turistikë.
“Nuk mund të flitet më për fitim, biznesi jonë do të jetë i kënaqur nëse del barazim këtë sezon.”
Mungesa turistëve si pasojë e pandemisë, ka sjellë edhe shkurtimin e personelit të hotelit. Nga 90 punonjës që do të ishin në një sezon normal në këtë njësi akomoduese, sot janë vetëm 70. Duke u penalizuar kështu edhe të rinjtë që punësoheshin gjatë muajve të verës.
Royal G Hotel & SPA, një ndër hotelet luksoze që ndodhet në lagjen 13 është një nga destinacionet më të frekuentuara turistike në qytetin bregdetar.
Vitin e fundit, sektori i turizmit në Durrës pësoi goditje të njëpasnjëshme, fillimisht tërmeti i 26 nëntorit e më pas pandemia e koronavirusit, duke paralizuar punën e operatorëve turistikë.
G.D.





