Partia Demokratike nuk është kundër vettingut në polici, por ligji i qeverisë nuk është zgjidhja, tha sot ne Komisionin e Sigurise deputeti Flamur Noka.

Sipas tij, vettingu nis nga lart-poshtë dhe ai duhet te veproje edhe për Ramën dhe Xhafajn.

Fjala e plotë e nënkryetarit të Komisionit të Sigurisë Kombëtare, Flamur Noka.

Vettingu në polici është i nevojshëm dhe ne si opozitë nuk jemi kundër në parim. Megjithëse në ligjin organik të policisë së shtetit ka pasur të sanksionuar nene të caktuara, kur flasim për vërtetimet e personalitetit, për kontrollin e figurës së personalitetit dhe deklarimit të pasurisë të çdo oficeri policie. Nuk janë zbatuar, por ajo që është është e rëndësishme është, që policia qenka e rrënuar, e degraduar, e kanabizuar.

Kush e solli policinë në këtë gjendje? Ku na humbi ajo policia që duam, ku na shkoi policia e rilindur, kush e inkriminoi këtë strukturë?

Kush futi ata qindra persona që me kërkesë të Ambasadës së SHBA-së në 2004, u larguan? Kush e kanabizoi dhe i priu kanabizimit sot në këtë vend?

Kush e rrënoi dhe e degradoi policinë? A kanë këta mundësinë që ta ringjallin besimin e opinionit tek kjo polici dhe a kanë këta mundësinë që ta rikthejnë në parametra normalë Policinë e Shtetit?

Sepse jemi dëshmitarë. Për katër vjet ky institucion është përdorur si një instrument dhune dhe jo një instrument ligji ndaj qytetarëve dhe në asnjë moment si një instrumend ligjor në duart e shtetit, kundër krimit, bandave dhe trafikantëve.

Sepse kjo polici u katandis në këtë pikë dhe në këtë gjendje, pasi i duhej dyshes Rama-Tahiri: E para, për t’i kthyer borxhin krimit dhe për ta mbushur me ushtarët e saj policinë. E dyta, për ta përdorur për trafik droge dhe për të mbledhur para për të blerë votat.

A mund ta zgjidhë ky projektligj këtë situatë dhe këtë gjendje të degraduar të këtij institucioni?! Unë besoj që jo. Sepse zgjidhja nuk vjen kurrë nga poshtë -lart, gjithmonë zgjidhja nga lart-poshtë.

Si mund t’i kërkojmë një polici të thjeshtë llogari për hashashin kur kemi një kryeministër mbush hundët me kokainë?

Si mund t’i kërkojmë një polici pse ka një kushëri të implikuar apo të përzier në një histori trafiku apo bande kriminale kur ke ministrin e Brendshëm me vëlla të dënuar për trafik nderkombetar droge? Pra, ky formular, ky veting duhet të fillojë nga lart-poshtë, nga ata që e shkaktuan dhe e sollën në këtë gjendje dhe duhet të vazhdojë pastaj deri tek polici i thjeshtë. Se nuk ka bërë ndonjëherë vaki që në këtë vend në vend që të ishin në kërkim kriminelët, sot ke më shumë të kërkuar në kupolën e policisë.

Sot të gjithë ish-drejtorët që i patët ju dhe u mburrët me to në 4 vjet, janë në kërkim. Të gjithë janë të zhdukur dhe nuk janë fare as në Shqipëri ose janë fshehur në Shqipëri. Kostot e kësaj maskarade sigurisht që i bien qytetarëve, i bien vendit. Po kush i shkaktoi?! I shkaktoi qeveria, i shkaktoi kryeministri i vendit. Ndaj e përsëris, opozita në parim nuk është kundër, por ky ligj që keni sjellë nuk është i mjaftueshëm, është thjesht një shou propagandistik për t’i larë fytyrën që ja keni baltosur dhe njollosur policisë./Panorama