Ky është apartamenti ku autori i vrasjes së biznesmenit Kastriot Reçi ka qendruar për 5 orë duke vëzhguar lëvizjet në lokal “Mirdita” në Rrëshen. Siç shihet edhe në foto, autori ka hyrë në këtë banesë, që është në pronësi të “ushtarit” të Met Kananit, Armando Gjini, i vrarë më 12 gusht, dhe ka patur fushë-pamje tejet të qartë drejt objektivit.
Burime për Dosja.al, bëjnë me dije se autori, që ka patur një snajper, dhe është veshur me fustan si grua dhe me paruke, i ka mjaftuar një plumb, për të vrarë Kastriot Reçin. Parukja është gjetur nga policia në afërsi të tregut të qytetit. Pasi ka qëlluar, ai është larguar nga pallati në këmbë.
Fakti që ky pallat është shpallur i pabanueshëm për shkak të tërmtit të 26 nëntorit 2019, është përdorur nga autori për të hyrë pa e parë askush, pasi e vetmja gjurmë është filmimi nga kamerat e sigurisë, por sipas hetuesve deri më tani, identifikimi përmes pamjeve nuk është i mundur. Autori është ngjitur nga shkallët dhe ka hyrë në një banesë të boshatisur në katin e parafundit.
Nga dritarja ka qëlluar me precizion të lartë drejt objektit, duke e goditur me plumb në kraharor. Ekzekutori ka dashur të vrasë vetëm Kastriot Reçin dhe madje ka shmangur plumbat ndaj vëllait të Reçit i cili ka kaluar në të njëjtën rrugë, vetëm 3 minuta më para se të kalonte viktima.
Ekzekutimi i tipit mafioz ndodhi dje në qendër të qytetit të Rrëshenit, ku është vrarë biznesmeni Kastriot Reçi. Ngjarja ka tronditur qytetarët, pasi ka ndodhur shumë pranë komisariatit të policisë në këtë qytet. Pistat, ku po hetohet janë dy: E para, ajo e hakmarrjes për shkak të një vrasjeje të vitit 2016, ku u vra ish-drejtori i OSHEE-së, dhe e dyta, ajo e prishjes së pazareve të drogës. /Dosja.al





