26 nëntor 2015 – Një tjetër rast i trafikimit të lëndëve narkotike nëpërmjet portit të Durrësit është goditur nga policia Kufitare dhe Sektori për Narkotikët në Drejtorinë Vendore të Policisë Durrës në bashkëpunim me Doganën që mbikëqyr sistemin e skanerit.
Plot 113 kg kanabis sativa ishin fshehur mes kolive të këpucëve në një trajler, sasi e cila, në rast se do t'i shpëtonte edhe kësaj radhe skanimit dhe kontrollit policor, do të trafikohej drejt Italisë. Burime nga policia njoftojnë për goditjen e këtij trafiku droge, i cili u finalizua me sukses mbrëmjen e së mërkurës, duke bërë të mundur arrestimin në flagrancë të një personi. Ai është Xhaferr Hoxha, 39 vjeç, banues në Durrës,
“Më datë 25.11.2015, në vendin e quajtur vija e dytë në P.K.K. Porti Durrës, gjatë kontrollit të ushtruar në kokën e trajlerit me targë AA 250 JA dhe trajlerit me targë ACR 470, në brendësi të ngarkesës me koli këpucësh u gjetën 120 pako të mbështjella me qese celofoni me peshë rreth 113 kg lëndë narkotike e dyshuar e llojit kanabis sativa”, njofton policia.
Materialet e këtij rasti do t'i kalojnë Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë për Krimet e Rënda, Tiranë për veprën penale “Trafikimi i lëndëve narkotike” e mbetur në tentativë.
Këtë herë skanimi nuk dështoi në detyrën e tij, ndryshe nga ngarkesa prej 1600 kg kanabis e cila arriti të dalë nga porti i Durrësit, duke u kaluar "nën hundë" doganierëve, pavarësisht skanimit dhe kontrollit me qentë antidrogë, dhe u zbulua vetëm kur mbërriti në portin e Barit.
/S.L. portali DurresLajm/





