SHBA, 2 qershor 2014 – NBC News nuk e ka transmetuar intervistën e plotë me ish- kontraktorin Edward Snowden, por ka transmetuar vetëm çerekun e saj. Fragmentet e papublikuara tani po qarkullojnë në internet, pasi në intervistën e publikuar shihet se NBC kishte lënë pas dore deklaratat kritike për sulmet e 11 shtatorit.

Intervista katër orëshe e Snowden nga gazetari Brian Williams është shkurtuar dhe është dhënë në një program 60-minutësh nga NBC.

Në një pjesë të intervistës, Snowden vë në pikëpyetje paaftësinë e agjencive të inteligjencës amerikane për të ndaluar sulmet e 11 shtatorit në New York, pasi aty kishte mbikqyrje maksimale.

Ai vuri në dukje se vendi kishte të gjitha burimet e nevojshme të inteligjencës para sulmit, por nuk arriti t’i ndalonte ato.

Në përgjigje të një pyetjeje nga Williams në lidhje me një “armikun tradicional”, Al – Kaedës, dhe si për të parandaluar sulme të tjera nga kjo organizatë dhe të tjerët, Snowden sugjeroi që Shtetet e Bashkuara kishin inteligjencën e duhur përpara 9/11, por nuk arritën të veprojnë.

"Ju e dini, dhe kjo është një pyetje kyçe që Komisioni 9/11 e ka konsideruar. Dhe atë që ata gjetën, ishte se kemi pasur të gjithë informacionin e nevojshëm si një komunitet i inteligjencës, si një sektor i klasifikuar i mbrojtjes kombëtare për të zbuluar këtë komplot",- tha Snowden.

"Në fakt ka dëshmi të thirrjeve telefonike nga Shtetet e Bashkuara dhe jashtë. CIA e dinte që këta njerëz ishin aty".

Edward Snowden, dezertori i Inteligjencës amerikane që zbuloi përgjimet e politikanëve, por edhe qytetarëve nga shërbimet sekrete amerikane, po qëndron në Rusi, pasi ka fituar azil politik.

/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/