Ana Zacharian: Me Albanian Skills promovojmë aftësitë profesionale të të rinjve shqiptarë

31/08/2017 - 09:23

Në datat 26 dhe 27 maj 2017 u zhvillua edicioni i III-të i Albanian Skills, konkursi i parë shqiptar që mbështet promovimin dhe zhvillimin e arsimit dhe formimit profesional. Për të folur më shumë rreth këtij konkursi dhe qëllimit të tij, Business Magazine realizoi një intervistë me Ana Zacharian, njërën nga iniciatoret e kësaj nisme kaq interesante.

BM: Përshëndetje Ana! A mund të na tregosh më gjerësisht se çfarë është Albanian Skills dhe rreth fokusit që ka ai si konkurs për mbështetjen e zhvillimit të arsimit dhe formimit profesional?

A: Albanian Skills është një iniciativë private. Ana dhe Stefan, dy profesionistë në fushën e arsimit dhe formimit profesional, të frymëzuar nga konkurset ndërkombëtare të aftësive profesionale për të rinj nëpër botë dhe Zvicër, si edhe nga nevoja e madhe e nxitjes dhe promovimit të aftësive profesionale të të rinjve shqiptarë dhe për më tepër të talenteve të reja në fusha të ndryshme, vendosën të themelojnë të parat konkurse profesionale për të rinj në Shqipëri.

Nëpërmjet sloganit “We promote skills”, ne aspirojme të zbulojmë të rinjtë e talentuar në profesione të ndryshme dhe t’i mundësohet atyre avancimi i mëtejshëm në karriera profesionale. Në të njëjtën kohë, të nxitim dhe dëshirën e pjesës tjetër të të rinjve, jo vetëm për punë dhe edukim, por mbi të gjitha dëshirën për profesion, sepse unë mendoj që një profesionist i afirmuar është edhe një individ i lumtur. Pra ne me nismën tonë synonim të evidentonim ata të rinj që janë më të talentuar e për t’i ndihmuar ata më tej në gjetjen e mundësive për praktika profesionale në punë, punësimeve në kompani të ndryshme partnere apo ekspozuar në evente të ngjashme jashtë Shqipërisë për t’i ekspozuar ato më tej drejt standardeve ndërkombëtare dhe këtë ta bënim nëpërmjet konkurseve profesionale. Por jo vetëm kaq, pasi në periudhën midis dy eventeve vjetore, tashmë edhe i treti edicion u realizua me sukses në fund të majit, ne kemi mundësi që të përdorim të gjithë dokumentacionin e grumbulluar gjatë konkurseve dhe historitë e suksesit për t’i promovuar këto talente edhe më gjerë dhe për t’i afruar ata më tepër me botën e punës dhe mundësive që ekzistojnë.

Albanian Skills siç e përmenda më parë është një iniciativë private, pa qëllime ekonomike, e pavarur nga çdo entitet publik apo privat. Kjo do të thotë se nuk kemi asnjë kompani, organizatë apo donator pas nesh. Madje kjo e shprehur edhe në faqen tonë ku mund të lexohet dhe kuptohet qartë se ne operojmë fale kontributeve dhe partneriteteve me individë, kompanive apo biznese të ndryshme, të cilët kontribojnë vetë direkt me materiale, infrastrukturë, burime njerëzore dhe financiare, me ekspertizën e tyre dhe me ekspertët dhe nga ana tjetër vetë Albanian Skills me ekipin e saj krijon, udhëheq dhe bashkërendon punën në bashkëpunim me të gjithë partnerët e saj, duke kontribuar tërësisht pa shpërblim gjatë gjithë këtyre viteve deri më tani. Tashmë jemi gati këtë model të suksesshëm të krijuar ta zgjerojmë më tej dhe ta shndërrojmë në një sipërmarrje të mirëfilltë dhe të qëndrueshme.

BM: Si ka nisur ky konkurs dhe sa kohë ka që zhvillohet në Shqipëri?

A: Katër vite më parë në qershor-korrik 2013 unë udhëtova si vullnetare në Lajpcig. Kurioziteti më kishte çuar atje ndërkohë që kërkoja të njihesha, nëpërmjet internetit, me informacione se çfarë bën bota në drejtim të zhvillimit të kapaciteteve njerëzore dhe aftësive profesionale, pasi për një periudhë të gjatë unë kam punuar në programe ndërkombëtare në mbështetje të arsimit profesional. Kështu kurioziteti personal më çoi në konkurset më të mëdha botërore për të rinj që organizoheshin atë vit dhe kështu aplikova për të marrë pjesë në WorldSkills 43, Leipzig 2013. Më pranuan dhe udhëtova për atje ndërkohë që biletën ma sponsorizoi zyra ku unë punoja dhe pjesën tjetër të shpenzimeve e investova vetë pasi pjesëmarrjet në këto organizime nuk të ofrohen falas duke qenë eksperienca unike që të ofrojnë mundësi të mëdha për të mësuar, mënyra për t’u njohur dhe rrjetëzuar, njohje të kulturave dhe jetesës brenda vendit ku t’i shkon. Pra ishte World Skills 43 që organizohej nga 2-7 Korrik 2013. Siç shihet bota kishte rreth 50 vite apo më shumë që i organizonte këto konkurse botërore. Gjendem atje mes 200.000 vizitorë që vizitonin çdo ditë konkurset në rreth 50 aftësi profesionale. Punova rreth 15 ditë si pjesë e ekipit të 250 vullnetarëve, që punuam si para, gjatë dhe pas organizimit të konkursit.

Lexoni: Cili është rregulli më i rëndësishëm i rrjetëzimit?

Vetë konkurset zhvilloheshin 4 ditë kështu që aty pata mundësinë që të shikoj nga afër dhe brenda workshop-eve sesi këto organizime funksiononin. Fillimisht nuk kisha menduar asgjë, as nuk e imagjinoja se çfarë më priste, sepse organizime të tilla janë madhështore dhe eksperiencat janë mbreslënëse, aq të bukura sa të trembin dhe as që e mendoja që mund të realizoja një gjë të tillë në Shqipëri. E vetmja brengë që më shoqëronte ato ditë ishte se pse asnjë shqiptar tjetër përveç meje, përse fëmijët tanë, të rinjtë tanë të mos ishin pjesë e këtyre eventeve kaq të rëndësishme. Kështu që kjo brengë u bë shtysa e mëtejshme që të mos ta hiqja nga mendja për asnjë çast në gati një vit të tërë dëshirën e madhe për të nisur diçka të ngjashme edhe në Shqipëri. Natyrisht organizime të tilla si WorldSkills apo EuroSkills as nuk mund të imagjinohen apo merren me mend, ato janë te përmasave gjigande, të cilat nuk mund t’i realizojmë dot sot, por nëse ecim me këtë vendosmëri, përkushtim dhe profesionalizëm të demonstruar deri më tani, përse jo mund të bëhemi edhe host i këtyre konkurseve një ditë.

Largohem prej atje dhe ndërkohë bisedoja vazhdimisht me kolegë, me të njohur dhe nuk pushoja së shpjeguari dhe frymëzuari persona të ndryshëm në kërkim të bashkëpunëtorëve me të cilët të ndaja të njëjtin vizion dhe të kisha mundësi të nisnim nga puna. Në të parin komunikim me Stephan Leiser, nëpërmjet e-mailit e më pas gjatë një kafe të shkurtër në Durrës, nxitëm dhe mbështetëm njëri-tjetrin për të krijuar një format modest të konkurseve profesionale edhe në Shqipëri, të ngjashme me ato të SwissSkills dhe WorldSkills. Njihesha me Stefanin pasi kishim punuar për të njëjtin program, të quajtur AlbVET, ai si ekspert i jashtëm dhe unë si staf i brendshëm në atë kohë. Kjo sipërmarrje përputhej mrekullisht mirë në atë fund vere të vitit 2014, pikërisht me mbylljen e atij programi dhe si pasojë unë disponoja të gjithë kohën e domosdoshme për të nisur nga puna e përgatitjeve të edicionit të parë të Albanian Skills 2015. Prej asaj kohe punojmë dhe investojmë jo vetëm kohën tonë, por edhe fonde tonat personale. Stephan udhëton bashkë me shume zvicerianë të tjerë duke përballuar vetë të gjitha shpenzimet për udhëtimin dhe qëndrimin në Shqipëri prej tre vitesh me radhë, gjithnjë në favor të kësaj iniciative.

BM: Cilët janë partnerët kryesorë, të cilët e mbështetën këtë organizim?

A: Si të parët mbështetës për t’u përmendur dhe shprehur mirënjohjen mbeten anëtarët e ekipit, grupi fantastik i vullnetarëve të Albanian Skills, pa kontributet e të cilëve nuk do të mund të realizonim këtë sipërmarrje tre vjeçare. Më lejoni t’i përmend një nga një të gjithë, Patrick Zahnd, Hanspeter Bingelli, Pascal Burri, Sebastian Feder, Veronika Leiser dhe Leulinda Gutaj nga Zvicra, Arjeta Dhima, Alma Shkreli, Fatjona Toska së bashku me familjen e saj të mrekullueshme, Elda Pineti, Juli Pjetri, Edlira Kalemi, Mira Prodani, Eleni Laperi, Herald Xhafa, Bevis Fusha, Holta Arapi, Deona Kalaja, Celik Rruplli, Kejvi Doko, Renato Toni, Getson Cela, Lisander Cuedari, Martin Gjonaj, Donald Vogli, Romario Hysa, Erjon Neziraj, Florian Taja, Elton Koritari, Elvin Shytaj nga Shqipëria dhe Domenico Cacciapaglia, Simone Andreozzi nga Italia.

Lexoni: Përfundon Albanian Skills, konkursi që promovon aftësitë dhe formimin profesional tek të rinjtë

Ndërkohë që mbështetësi kryesor TEG vazhdon të na ofrojë hapësirat e tij, pa hezitim që në momentin e parë që prezantuam idenë tonë. Ata na mirëpritën dhe prej tre vitesh i realizojmë aktivitetet tona atje. Në vijim, Shoqata e ICT në Zvicër dhe Swisscontact kanë mbështetur realizimin e vizitave studimore të fituesve në Zvicër. Kompanitë shqiptare Communication Progress, NetTrade, Dyqan Taxi, Easy Pay, AbCom, Shero Albania, Emar Design, Antea Cement, Ride Albania, Studio Joni, Botime Pegi, Pelinku Jeans, Albanian Innovation Accelerator, Didactic Center Irisoft, Consulcesi, Shkolla Profesionale Kamëz, Shkolla Hoteleri Turizëm Tiranë, Shkolla Elektrike Gjergji Canco, Agna Group, Business Magazine, Albanian ICT Academy, Protik Center, Qendra e Inovacionit, Hotel Theranda, Schneider Electric dhe shumë individë të cilët ofruan pa kursim kontributet e tyre edhe në materiale të ndryshme për të mundësuar realizimin me suksess të të treja edicioneve.

Gjithashtu për dy vite me radhë kemi ngritur fonde nëpërmjet “100 days” dhe “Generosity” Indiegogo. Nëpërmjet të parës, një mënyrë crowdfunding në Zvicër arritëm vjet të mblidhnim 6000 franga nëpërmjet komunitetit zvicerian dhe shqiptar që ne njihnim dhe që e panë me interes të na ndihmonin. Me këto shpenzime mbështetëm study visit të këtyre fituesve në Zvicër.  Sivjet po vazhdojme crowdfunding me Generosity https://goo.gl/npsftQ.

BM: Çfarë synohet të arrihet me këtë konkurs?

A: Është e shprehur qartë në misionin tonë. Ne synojmë të ndikojmë sa mundemi edhe në imazhin e arsimit dhe formimit profesional. Pjesa më e madhe e të rinjve ndjekin universitetet. Ndjekin universitetet dhe në të njëjtën kohë nuk arrijnë të gjejnë punë në përfundim të studimeve të tyre, të mos kenë një punë të mirë, të mos kenë mundësi të zhvillojnë karriera të qëndrueshme dhe si rezultat ne jemi përballë një rinie që përfundon nëpër kafene e dëshpëruar, që nuk arrin të shikojë një dritë jeshile në të ardhmen e vet për shkak të një mos drejtimi të duhur profesional, drejt një përgatitjeje profesionale të hershme.

Si mund ta ndryshojmë ne këtë imazh?

Ne i bashkohemi pikërisht asaj pjese të shoqërisë, e cila synon të përmirësojë imazhin e arsimit profesional, por me veprime dhe aksione konkrete dhe jo me fjalë. Ne besojmë fort dhe po provojmë se imazhi jo i mirë që sektori privat ka për të rinjtë e shkolluar dhe që mbarojnë shkollat mund të ndryshojë vetëm nëpërmjet demonstrimit të fuqisë së aftësive profesionale dhe përfshirjes së sektorit privat në sistemin e arsimit dhe formimit profesional.

Vetë organizimi i konkurseve për të zbuluar talentet do të ndihmojë të rinjtë të ndihen më të vlerësuar për përpjekjet dhe arritjet e tyre, ndërkohë që vetë kompanitë ndihmohen të gjejnë atë forcë pune të aftësuar që t’i besojë më tej detyra dhe projekte të mëtejshme. Pikërisht ky urëzim, kjo lidhje e ofruesve të aftësive, që janë të rinjtë e talentuar nga fusha të ndryshme, me ofruesit e punëve apo projekteve, që janë kompanitë nga sektori privat vendas, do të çojë në më shumë mundësira për të rinjtë për t’u njohur dhe hyrë lehtësisht në tregun e punës dhe për sektorin privat identifikimin e forcës së aftësuar për punë që i nevojitet.

Pjesë e axhendës dhe vizionit tonë është edhe pjesëmarrja e fituesve tanë në “WorldSkills”, pikërisht në ato konkurset ndërkombëtare nga ku kemi marrë frymëzimin dhe modelin tonë. Ne tashmë jemi në kontakt me këto organizata dhe po punojmë për të përmbushur kërkesat e anëtarësimit. Pjesë e kësaj axhende ishte edhe pjesëmarrja e 7 vullnetarëve nga Shqipëria në EuroSkills 2016, një tjetër eksperiencë unike për të rinjtë që morën pjesë atje.

BM: Kush mund të marrë pjesë dhe cilat janë kërkesat që duhet të përmbushin kandidatët?

A: Konkurset janë të hapura për të gjithë dhe janë falas. Kriteret e aplikimit janë mjaft të thjeshta. Mjafton që të jesh brenda një target grupi 16-25 vjeç. Mjafton që të kesh eksperiencë qoftë edhe të shkurtër në atë drejtim që kërkon i riu apo e reja të konkurojë, të kesh një motivim të lartë për të garuar dhe shpirt gare, pasi garat janë sa të bukura dhe ekzaltuese aq edhe dëshpëruese. Gjithashtu në përgjithësi duhet të jenë njohës të gjuhës angleze, pasi drejtimet e ICT apo Hoteleri Turizem i kërkojnë këto njohuri. Nga ana tjetër dhe për profesionet e tjera tashmë është bërë jo vetëm trend, por edhe domosdoshmëri që ti të jesh i update-uar me anglishten. Në linqet e aplikimeve online shfaqen të gjitha format e kërkesave për çdo profesion.

BM: Në cilat fusha është e përqendruar Albanian Skills dhe pse janë përzgjedhur pikërisht këto?

A: Jemi fokusuar në fushën e teknologjisë, ku kemi programimin, webin, dizenjimin dhe fotografinë. Në fushën e konstruksioneve në pjesën e saldimit dhe drejtimin e shërbimeve hoteliere. Ndërkohë jemi edhe duke testuar fusha të tjera. Për shembull brenda fushës së konstruksioneve kemi futur hidraulikën, instalimet elektrike, kopshtarinë e shumë të tjera. Ky është një proces i vazhdueshëm dhe pavarësisht se ato mund të mos jenë prezente sivjet, ne vazhdojmë të përgatitemi edhe për vitet që vijinë. Për shembull vitin tjetër mund të shtohet dhe fashion, qëndisje, stilim, parukeri, estetikë. Fusha ka pafund, madje edhe të standartizura në WorldSkills janë rreth 60 profesione. Vetëm profesione në Shqipëri mund të kalojnë numrin 100. Kjo është një mënyrë rritje. Ne jemi fokusuar në këto drejtime profesionale deri më tani qoftë edhe për shkaqe fare të thjeshta, sepse ne kaq kemi mundësi të bëjmë, pra këto janë burimet tona. Duke qenë vullnetarë, pa qëllime ekonomike, duke qenë se ne jemi të varur plotësisht nga partnerët dhe partneritetet, pjesa më e madhe e energjive tona kontribuon pikërisht në investimin tek marëdhëniet njerëzore dhe institucionale, tek njerëzit, tek informimi, shpjegimi, pse jo dhe te ndërgjegjësimi i tyre pse duhet të bëhen pjesë e Albanian Skills. Dhe në këtë mënyrë ne jemi të disi të limituar. Por nga ana tjetër dëshiroj të theksoj se ne po rritemi në mënyrë të shëndetshme dhe të suksesshme. Pra një sukses i kontrolluar, i cili garanton vazhdimësi.

Gjithesesi, nëse sot do kishim mundësinë të krijonim partneritete në të gjitha fushat e industrisë, ne jemi të përgatitur të organizojme konkurse edhe për 100 profesione. Kjo shërben edhe si një thirrje ndaj kompanive dhe sektorit privat dhe ftesë për të besuar dhe bashkëpunuar me Albanian Skills. Përveç fokusit të këtyre fushave, ndërkohë ne përpiqemi që të sjellim dhe t’i japim një zë edhe profesioneve të reja apo të paafirmuara, si handcraft, kodimi dhe robotika etj. Pra ne dëshirojmë gjithashtu të ekspozojmë profesionistë të mirë, por të heshtur, njerëz të thjeshtë, të cilët nuk shfaqen gjëkundi. Ne përpiqemi që t’i japim zë edhe kësaj pjese, kështu që me një grup ish konkurentësh po përpiqemi të ndërtojnë një koncept edhe për të adresuar pikërisht këtë target duke i dhënë atyre zë nëpërmjet zërit të profesioneve. Ne kërkojmë të sjellim ndryshime në mendësinë dhe shoqërinë shqiptare nëpërmjet fuqisë së aftësive profesionale dhe talenteve.

BM: Cilat janë risitë që sjell vit pas viti Albanian Skills dhe a ka ardhur në rritje numri i pjesëmarrësve?

A: Çdo edicion ka ndryshime të dukshme, të cilat kanë rezultuar të suksesshme nga viti në vit. Në çdo edicion përpiqemi të sjellim profesione të reja, audiencë të re, partneritete të reja dhe grupe interesi të qëndrueshme. Ne kemi patur shumëfishime të treguesve të ndryshëm, qoftë në atë të partnerëve, aplikimeve të marra, të fushave, të numrit të vullnetarëve, numrit të anëtarëve në ekip.

BM: Çfarë solli ndryshe Albanian Skills këtë vit dhe a u përmbushën pritshmëritë që kishit vendosur?

A: Ndërkohë sivjet Albanian Skills u zhvillua jo më në 1 ditë, por në dy ditë të plota dhe në tre vendodhje të reja. Ndërsa konkurset u zhvilluan për 5 drejtime profesionale, brenda formatit të sivjetshëm organizuam edhe 9 aktivitete anësore – side events që kishin në fokus lidhjen më të mirë të sektorit privat me aftësitë profesionale, demonstrimin e aftësive dhe profesioneve të reja, inovacionin dhe të rejat teknologjike si edhe aftësitë e së ardhmes. Folës kyç u vendosën në fokus për të dëshmuar dhe reflektuar rëndësinë e konkurseve profesionale. Dhe nga ana tjetër vete partnerët u vendosen në qendër të vëmendjes për t’u shprehur me zërin e tyre mbi rëndësinë e iniciativave të tilla. Forumi i Aftësive dhe të gjitha aktivitete e Edicionit të tretë dëshmuan edhe njëherë se një lidhje dhe bashkëpunim i mirë midis sektorit privat, industrive të ndryshme dhe iniciativave të tilla, mund të kontribuojë në lidhjen më të mirë të shkollës dhe tregut të punës, teorisë dhe praktikës, lidhjen e gjërave që mësohen në shkollë apo autodidakte dhe mundësive për t’i implementuar ato në praktikë.

BM: Faleminderit për intervistën Ana! Suksese në edicionet e ardhshme të Albanian Skills.

Etiketa: 
 
/Business Magazine/

/portali DurresLajm/

Na bëni like në facebook!: 

Lajme nga e njëjta kategori

Hiqet kufiri maksimal për pagesën e ndihmë ekonomike, për rritjen e përfitimeve për familjet me shumë fëmijë.

Një studim i fundit i “World Vision” raporton shifra alarmante të ushtrimit të dhunës ndaj fëmijëve.

Për gjendjen ekonomike të vështirë të punonjësve të policisë është folur shpesh por vetëm tani duket se po fillon të bëhet dicka konkrete

Një grup të rinjsh shqiptarë, të moshës 14-18 vjeç, u vlerësuan me çmimin e dytë në Olimpiadën e Robotikës në Meksikë.

Mesditën e sotme ka ndërruar jetë, Pjetër Rodiqi, bashkëshorti i këngëtares së madhe Vaçe Zela.

Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu gjatë vizitës në qendrën e zhvillimit në Lushnje deklaroi se bashkitë

Ermira Demiraj, mjeke specialiste e lëkurës në spitalin Rajonal të Durrësit, ka ngritur një sërë problematikash në lidhje me shëndetin e