Teksa në Durrës autoritetet vendore kanë ndërmarrë aksione për mbjelljen e pemëve të reja, pemët e vjetra dhe pyjet po shfarosen në zonat rurale, aty ku janë jashtë syrit të banorëve.

Shembulli konkret është në Ishëm, në Kepin e Rodonit në zonën veriore të bashkisë së Durrësit. Është avokati i kishës Françeskane i cili shqetësimin e ngriti për mediat gjatë një deklarate. Kisha Françeskane denoncon prerjen e pyllit, tha avokat Gjergj Sokoli.

Kisha katolike Françeskane nëpërmjet avokatëve të saj ka denoncuar në të gjitha instancat përgjegjëse shtetërore këtë shkelje të rëndë, pasi pylli i dëmtuar është pronë e saj e kthyer zyrtarisht në vitin 2008, por deri tani është ndeshur vetëm me heshtje tha avokati Gjergj Sokoli.

Avokati ngre si shqetësim gjithashtu ndërtimet pa leje që janë bërë në territor të kishës. Për dëmtimet e bëra dhe pretendimet e personave që kërkojnë të ndërtojnë në territorin e kishës, nuk u është paraqitur asnjë dokument.

Kepi i Rodonit është një monument natyror historik. Në afërsi të kalasë së Skëndërbeut ndodheshin edhe katër manastire të cilat kanë ekzistuar në këtë vend të vetmuar përpara se të ndërtohej kështjella.

Të tilla manastire kanë qenë ai i Shën Anastasisë, Shën Kollit, Shën Mërisë dhe ai i Shën Ndout. Ky i fundit ishte i vetmi objekt që ekzistonte deri përpara disa vjetësh në gjëndje rrënoje. Në vitin 2008 teritori i është kthyer pronareve të vjetër të sajë, kishës Françeskane.

Ndërhyrja në këtë territor historik mund të shërbejë si precedent konfliktual mes shtetit dhe Vatikanit.

K.H.