Pas vendimit për hapjen e Kolegjit të Europës dhe nënshkrimit të marrëveshjes me palën austriake për reformimin e Universitetit Bujqësor të Tiranës, një tjetër vendim i rëndësishëm është marrë sa i përket programit të ndërkombëtarizimit të arsimit të lartë.

Ministrja e Arsimit, Ogerta Manastirliu, bëri me dije pas mbledhjes së qeverisë lajmin e mirë të hapjes së një universiteti spanjoll në Gjirokastër.

“Tashmë miratojmë në parim, një marrëveshje të rëndësishme mes Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe Universitetit Kombëtar të Arsimit në Distancë, Spanjë, për hapjen e këtij universiteti, e këtij filiali në Gjirokastër. Është një prej universiteteve më prestigjioze në botë, me modalitetet e studimit në distancë dhe ato të përzier”, tha ministrja.

Ky universitet është shtetëror në Spanjë dhe do të sjellë disa programe në 3 ciklet e studimit. Por jo vetëm kjo, pasi aty do të ketë edhe kurse të studimeve profesionale.  

“Janë më shumë se 30 programet e studimit Bachelor, më shumë 80 programe të ciklit Master dhe 20 programe Doktoraturash që ky universitet ofron në të gjitha vendet e botës, pasi ky është një universiteteve të edukimit në distancë që ka një shtrirje dhe filialet e tij janë në më shumë se 20 vende, të hapura në mbi 70 qytete. Hapja e këtij universiteti në Gjirokastër hap një tjetër perspektivë zhvillimi për arsimin e lartë në Shqipëri dhe veçanërisht në Gjirokastër”, tha ministrja.

“Ky universitet që do të hapë filialin në Gjirokastër do të vijë me të gjitha standardet. Gjithashtu edhe akreditimin që do të bëhet nga strukturat e Spanjës. Do të kemi mundësi që diplomat, gradat, titujt, të njihen automatikisht, pra pikërisht kjo marrëveshje lejon njohjen e gradave dhe titujve në mënyrë automatike kështu që krijon edhe lehtësirat për aplikimin në këtë universitet, studentëve shqiptarë dhe atyre të rajonit, sigurisht një tjetër ofertë të re akademike në Shqipëri”, shtoi Manastirliu.