Qendra Kombëtare e Biznesit mirëpriti në Tiranë një delegacion të InfoCamere, shoqëria e informatikës e Dhomave të Tregtisë Italiane, në kuadër të vijimit të bashkëpunimit institucional dhe të një misioni teknik të fokusuar në zhvillimin e mëtejshëm të sistemeve dhe shërbimeve digjitale për biznesin.

Takimi vjen si vijim i vizitës së zhvilluar nga ekipi i QKB-së në Padova, në muajin prill, ku përfaqësuesit e institucionit patën mundësi të njiheshin nga afër me eksperiencën italiane në administrimin e informacionit të biznesit dhe me zgjidhjet teknologjike të zhvilluara nga InfoCamere në mbështetje të sistemit të Dhomave të Tregtisë në Itali.

Në fjalën e hapjes, Drejtori i Përgjithshëm i Qendrës Kombëtare të Biznesit, Etugert Llazi, vlerësoi rëndësinë e kalimit nga shkëmbimi i eksperiencave drejt një bashkëpunimi më të strukturuar, të orientuar drejt projekteve dhe zgjidhjeve konkrete.

“Ambicia jonë është të identifikojmë se cilët elementë të eksperiencës italiane mund të përshtaten në Shqipëri, duke marrë në konsideratë kuadrin tonë institucional, infrastrukturën digjitale dhe nevojat e bizneseve shqiptare”, u shpreh Llazi.

Ai theksoi se prioriteti i QKB-së mbetet lehtësimi i marrëdhënies së biznesit me administratën publike, duke e bërë ndërveprimin me institucionin më të thjeshtë, më të shpejtë, më transparent dhe gjithnjë e më digjital.

Gjatë misionit teknik, ekipet e dy institucioneve u fokusuan në dy fusha kryesore bashkëpunimi.

E para lidhet me regjistrat që administrohen nga QKB, ndërsa fusha e dytë lidhet me teknologjinë e informacionit dhe infrastrukturën digjitale.

Objektivi përfundimtar i këtij bashkëpunimi duhet të jetë shumë praktik: shërbime më të mira për biznesin, informacion me cilësi më të lartë, më shumë ndërveprueshmëri mes institucioneve dhe një administratë publike më efikase”, deklaroi Llazi.

Nga ana e tij, Drejtori i InfoCamere, Paolo Ghezzi, shprehu entuziazmin për vijimin e bashkëpunimit me Qendrën Kombëtare të Biznesit dhe gatishmërinë për të ndarë eksperiencën dhe ekspertizën teknologjike të InfoCamere në funksion të zhvillimit të mëtejshëm të shërbimeve digjitale për biznesin në Shqipëri.

Bashkëpunimi merr një rëndësi të veçantë edhe në kuadër të procesit të integrimit europian të Shqipërisë, i cili kërkon jo vetëm përafrimin e legjislacionit me acquis të Bashkimit Europian, por edhe forcimin e kapaciteteve administrative dhe teknologjike të institucioneve për zbatimin efektiv të standardeve europiane.