Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme ka nisur përgatitjet për vitin e ri shkollor 2026–2027 në diasporë, me synimin për të mbështetur mësimin e gjuhës shqipe dhe ruajtjen e kulturës shqiptare te fëmijët që jetojnë jashtë vendit.
Në një videomesazh, ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Ferit Hoxha, bëri të ditur se për vitin e ri shkollor janë parashikuar mbi 5700 paketa mësimore, ose rreth 17 mijë tekste, për fëmijët shqiptarë në 15 shtete të Evropës, si dhe në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Kanada.
“Përpara nisjes në një aktivitet ndërkombëtar, dua të them dy fjalë për librat për vitin shkollor 2026–2027 në Diasporë. Janë parashikuar mbi 5700 paketa mësimore, ose rreth 17 mijë tekste, për 15 shtete në Evropë, si dhe në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe në Kanada.
Bëhet fjalë për tekstet e përbashkëta “Gjuha shqipe” dhe “kultura shqiptare” për nivelet e parë, të dytë dhe të tretë.
Në bashkëpunim me Qendrën e Botimeve për Diasporën, si dhe Ministrinë e Arsimit, do të bëjmë çmos të plotësojmë 100 për qind të kërkesave.
E veçanta e këtij viti shkollor është përfshirja e nivelit të tretë, çka përbën një hap të rëndësishëm në konsolidimin e ciklit të plotë të teksteve të përbashkëta për Diasporën.
Përfaqësitë diplomatike janë duke përditësuar të dhënat për numrin real të nxënësve, nivelet që ndjekin, mësuesit dhe adresat e shpërndarjes.
Për të gjithë të interesuarit, prindër e mësues në Diasporë, lutem ndiqni udhëzimet dhe njoftimet e përfaqësive tona diplomatike, ambasadave në secilin vend, për të qenë të informuar në kohë reale”, thuhet ne mesazhin e Ferit Hoxhës.





