Policia Bashkiake ka nisur aksionin për identifikimin dhe largimin e automjeteve të braktisura, me qëllim lirimin e hapësirave publike në çdo rrugë e lagje të qytetit të Durrësit.
Deri më tani, në rrugët kryesore të qytetit të Durrësit janë identifikuar 81 automjete të braktisura.
Nga këto:
30 automjete janë larguar vullnetarisht nga pronarët e tyre pas komunikimit me Policinë Bashkiake.
Për 30 automjete të tjera, pronarët e të cilave janë identifikuar dhe kanë adresë të përcaktuar, në përputhje me nenin 157, pika 5, nenin 199 dhe nenin 211 të “Kodit Rrugor të Republikës së Shqipërisë”, është kryer njoftimi nëpërmjet shërbimit postar. Pronarëve u është lënë një afat prej 30 ditësh për largimin vullnetar të mjeteve.
Për 21 automjete, të cilat nuk kanë targa ose janë të pajisura me targa të huaja dhe për të cilat nuk ka qenë i mundur identifikimi i pronarëve, janë ndërmarrë masat për publikimin e njoftimeve përmes Njoftimit Publik, bazuar ne nenin 162 te K.Pr.Administrative.
Njoftimet janë afishuar pranë Këndit të Njoftimeve të Bashkisë Durrës, pranë Prefekturës së Qarkut Durrës, si dhe në Këndin e Njoftimeve pranë Policisë Bashkiake.
Policia Bashkiake i bën thirrje qytetarëve dhe pronarëve të automjeteve të tregojnë përgjegjshmëri dhe bashkëpunim, duke larguar vullnetarisht keto mjete dhe kontribuar në respektimin dhe mirëmbajtjen e hapësirave publike.





