Ditën e nesërme, datë 15 shtator 2026, hapet raundi i dytë i regjistrimeve në universitete.

Të gjithë maturantët që deri më tani nuk janë regjistruar ende në një degë, apo janë në mëdyshje për përzgjedhjen e programit të studimit, të cilin duhet të ndjekin për formimin e tyre profesional, një alternativë mjaft e mirë është ndjekja e studimeve pranë Fakultetit të Teknologjisë së Informacionit në Universitetin “Aleksandër Moisiu” të Durrësit.

Në një kohë, kur teknologjia ecën me hapa të pandalshëm përpara, ndjekja e studimeve në një degë që ka lidhje të drejtpërdrejtë me këto zhvillime dhe garanton një punësim të sigurt në tregun e punës brenda dhe jashtë vendit është një mundësi shumë e mirë për çdo të ri apo të re për të mos marrë thjesht një diplomë, por për të fituar aftësitë e duhura për profesionin që ka zgjedhur.

Pikërisht, në prag të nisjes së raundit të dytë të regjistrimeve, “DurrësLajm” zhvilloi një intervistë me dekanen e FTI-së në UAMD, Anjeza Pasku.

Përgjatë javëve që u mbajt raundi i parë i regjistrimeve pranë programeve të studimit që ofron ky fakultet janë regjistruar jo vetëm studentë shqiptarë, por edhe të huaj, duke dëshmuar kështu se FTI është gjithnjë e më i kërkuar edhe jashtë kufijve tanë.

Për të gjithë ata maturantë, që do t’i nënshtrohen regjistrimeve në raundin e dytë, dekania Pasku, sqaron shkurtimisht pikat më të forta të fakultetit, që ajo drejton.

“Një nga pikat më të forta është ndërthurja e bazës akademike me orientimin praktik. Studentët nuk mjaftohen vetëm me teorinë, por punojnë me problematika konkrete, projekte dhe teknologji që lidhen drejtpërdrejt me profesionin e tyre të ardhshëm.

Një tjetër avantazh është diversiteti i programeve. Krahas fushave të teknologjisë ofrojmë programe në Sisteme informacioni, Matematikë dhe Informatikë, Multimedia dhe Televizion digjital, si dhe programe profesionale dyvjeçare.

Kjo i jep studentit mundësinë të zgjedhë një drejtim teknik, analitik, praktik apo kreativ, sipas prirjeve të tij. Dhe sigurisht një pikë shumë e rëndësishme është stafi akademik dhe mbështetja që studentët marrin gjatë gjithë ciklit të studimit”,- thotë dekania Pasku.

Është pikërisht kjo mbështetje që studentët marrin gjatë viteve të studimit, që u jep atyre mundësi të shumta për t’u integruar në tregun e punës, kohë përpara sesa të marrin diplomën.

Punësimi i të rinjve gjatë viteve të studimit në FTI është një realitet i prekshëm.

“Synimi ynë është që studenti të dalë me aftësi, që i duhen realisht në jetë dhe në punë dhe të përshtatet me zhvillimet e reja. Punësimi i studentëve ndodh veçanërisht në fushat ku aftësitë praktike mund të përdoren që herët. Praktikat, projektet dhe angazhimet profesionale i ndihmojnë studentët të fitojnë eksperiencë që gjatë universitetit. Ne duam që studenti të fillojë të ndërtojë profesionin e tij përpara sesa të marrë diplomën”,- thotë Pasku.  

Në përfundim të intervistës së saj, dekania e Fakultetit të Teknologjisë së Informacionit ka një mesazh për të gjithë maturantët, që duke nisur nga nesër do të regjistrohen pranë këtij fakulteti.

“Nëse keni interes për teknologjinë, kreativitetin, inovacionin dhe një treg pune që ndryshon vazhdimisht, FTI në UAMD ju pret. I ftoj ta shohin FTI-në si një vend ku mund të ndërtojnë hap pas hapi të ardhmen e tyre nga programet profesionale dyvjeçare dhe bachelor-ët, deri te programet e masterit. Ne nuk duam thjesht t’u japin studentëve një diplomë, duam t’ju japim mundësinë të ndërtojnë një profesion”,

M.B.