Thirrjet e drejtuesve të industrisë së inteligjencës artificiale për të ngadalësuar zhvillimin e teknologjisë kanë tronditur tregjet financiare. Aksionet e kompanive të lidhura me AI-në ranë ndjeshëm të hënën në Azi dhe Europë.

Në Korenë e Jugut, prodhuesi i çipave Hynix humbi 6.4%, ndërsa Samsung Electronics ra me 4.1%. Në Japoni, SoftBank, një prej investitorëve kryesorë në OpenAI, humbi më shumë se 10%.

Rënia vazhdoi edhe në Europë. Kompania gjermane e gjysmëpërçuesve Infineon ra me 7.6%, ndërsa gjiganti holandez ASML humbi 5.2%. Rënia erdhi pas debatit public që hapi drejtuesi i Anthropic, Dario Amodei. Ai kërkoi që zhvillimi i modeleve më të fuqishme të AI-së të ngadalësohet dhe të monitorohet më nga afër. Sipas Amodei, një ngadalësim prej një ose dy vitesh mund të zvogëlojë rrezikun që teknologjia të dalë jashtë kontrollit.

Shqetësimeve iu bashkua edhe drejtuesi i OpenAI, Sam Altman. Ai deklaroi se standardet aktuale nuk janë ende në nivelin e duhur për të shtyrë shumë më tej aftësitë e inteligjencës artificiale. Edhe Elon Musk mbështeti qëndrimin e Amodei, duke deklaruar se drejtuesi i Anthropic kishte të drejtë.

Debati u intensifikua pas largimit nga Anthropic të studiuesit Jacob Coxon, i cili kishte punuar më parë edhe në OpenAI. Ai pretendoi se njerëzit që zhvillojnë sistemet më të avancuara të AI-së janë seriozisht të shqetësuar për rreziqet e ardhshme.

Presidenti amerikan Donald Trump, ndërkohë, i ka minimizuar shqetësimet, duke këmbëngulur se vendi që fiton garën e inteligjencës artificiale do të ketë avantazhin global.

Tashmë vëmendja e investitorëve është zhvendosur drejt Wall Street-it, ndërsa treguesit paraprakë sinjalizojnë rënie edhe për Nasdaq-un, indeksin ku dominojnë kompanitë teknologjike.