Një program i ri Master Shkencor do të hapet në vitin e ri akademik 2026 – 2027 pranë Fakultetit të Shkencave Politiko – Juridike në Universitetin “Aleksandër Moisiu” të Durrësit.
Programi i ri 2-vjeçar “Politika ndërkombëtare për zhvillim të qëndrueshëm” fokusohet në lidhjen mes politikës e marrëdhënieve ndërkombëtare me zhvillimin e qëndrueshëm, duke bërë bashkë në një program studimi disa nga sfidat më të rëndësishme me të cilat përballet sot njerëzimi.
Për të mësuar më shumë lidhur me këtë program, që nuk është thjesht një master tradicional në shkencat politike, “DurrësLajm” intervistoi Prof. As.Dr. Mirela Metushaj, pedagoge pranë Departamentit të Shkencave Politike te Fakulteti i Shkencave Politike dhe Juridike Mirela Memushaj, e cila nënvizoi gjatë fjalës së saj se fakti, që programi ofron “Diplomë të dyfishtë” është një plus më shumë për studentët.
“Programi zhvillohet në bashkëpunim me një universitet evropian shumë të rëndësishëm, Universitetin e Teramos – Università degli Studi di Teramo, në Itali. Pra kemi një bashkëpunim akademik UAMD–UniTE që i jep programit një dimension real ndërkombëtar”,- thotë pedagogia Memushaj.
“Kjo është një nga pikat më të rëndësishme që dua t’ua përcjell studentëve: ata nuk po zgjedhin vetëm një program lokal, por një mundësi studimi të lidhur drejtpërdrejt me një universitet italian dhe me hapësirën universitare evropiane”,- vijon më tej Memushaj.
Ky program do të shërbejë një eksperiencë universitare që lidh Shqipërinë me Italinë dhe do të ofrohet në 3 gjuhë; shqip, anglisht dhe italisht.
Por a mund ta ndjekin këtë master vetëm të diplomuarit në Fakultetin e Shkencave Politiko – Juridike apo ai është i hapur për çdo student që ka mbaruar studimet në Bachelor dhe do të profilizohet në politika ndërkombëtare?
“Ai i drejtohet një spektri më të gjerë të diplomuarish, veçanërisht atyre me formim në shkencat politike, marrëdhëniet ndërkombëtare, drejtësi, ekonomi, histori, administrim publik apo fusha të afërta.
Pra, nëse një student ka përfunduar Bachelor-in dhe dëshiron ta çojë profilin e tij drejt politikave ndërkombëtare, Evropës, diplomacisë, zhvillimit të qëndrueshëm apo politikave publike, ky program është një mundësi shumë interesante”,- thotë pedagogia Memushaj.
E ndërsa regjistrimet e kandidatëve për ciklin e dytë të sturimeve në “Master profesional” dhe “Master shkencor” janë hapur, pedagogia Memushaj i fton ata të bëhen pjesë e masterit të ri “Politika ndërkombëtare për zhvillim të qëndrueshëm”.
“Nëse dëshironi të kuptoni botën që po ndryshon dhe të jeni pjesë e profesionistëve që do të formësojnë të ardhmen e saj, ky është një program për ju. Sepse sot nuk mjafton të kesh një diplomë. Duhet të kesh një profil që të lidh me Evropën, me botën dhe me problemet reale të së ardhmes. Dhe pikërisht këtë synon të bëjë ky Master: të ndërtojë ura mes Shqipërisë, Evropës dhe botës.
Regjistrimet janë të hapura deri më 5 tetor 2026.
Intervista e plotë:
Profesoreshë Metushaj, së pari, çfarë është programi i ri Master Shkencor në “Politika Ndërkombëtare për Zhvillim të Qëndrueshëm” dhe pse është një program i veçantë?
Është një program i ri Master Shkencor pra 2 vjecar që sjell në Universitetin “Aleksandër Moisiu” të Durrësit një dimension shumë të fortë ndërkombëtar dhe evropian. Programi fokusohet në lidhjen mes politikës ndërkombëtare, marrëdhënieve ndërkombëtare dhe zhvillimit të qëndrueshëm, pra në disa prej sfidave më të rëndësishme me të cilat përballet bota sot.
Zhvillimi i qëndrueshëm është një koncept që në Shqipëri ndoshta ende nuk është aq i njohur sa duhet, dhe shpesh lidhet vetëm me mbrojtjen e mjedisit. Në fakt, është shumë më i gjerë.
Në thelb, është mënyra se si ne zhvillojmë ekonominë dhe shoqërinë sot, duke u kujdesur që ky zhvillim të mund të vazhdojë edhe në të ardhmen. Pra, duhet të gjejmë ekuilibrin mes ekonomisë, mirëqenies sociale dhe mbrojtjes së burimeve dhe mjedisit.
Ajo që e bën veçanërisht interesant është se nuk kemi të bëjmë thjesht me një master tradicional në shkencat politike. Është një program ndërdisiplinor, ku ndërthuren politika, marrëdhëniet ndërkombëtare, ekonomia, e drejta, historia dhe çështjet e zhvillimit të qëndrueshëm.
Me cilin universitet zhvillohet ky program?
Programi zhvillohet në bashkëpunim me një universitet evropian shumë të rëndësishëm, Universitetin e Teramos – Università degli Studi di Teramo, në Itali. Pra kemi një bashkëpunim akademik UAMD–UniTE që i jep programit një dimension real ndërkombëtar.
Prej ketij viti akademik, Universiteti i Teramos e ofron këtë program edhe në formën e Double Degree, në bashkëpunim me Universitetin tone.
Kjo është një nga pikat më të rëndësishme që dua t’ua përcjell studentëve: ata nuk po zgjedhin vetëm një program lokal, por një mundësi studimi të lidhur drejtpërdrejt me një universitet italian dhe me hapësirën universitare evropiane.
Çfarë do të thotë konkretisht “Double Degree”(Diplomë e dyfishtë) për një student?
Do të thotë një diplomë e dyfishtë. Studenti ndjek një program të integruar akademik dhe, në përfundim të tij, përfiton titullin përkatës të studimit të lidhur me të dy universitetet, sipas marrëveshjes së programit. Studenet uamd do te zhvillojne simestrin e pare te vititi te dyte ne universitetin e teramos dhe studentet Italian ne uamd, gjithashtu do te punojne temen e diplomes me dy udheheqes shekncor, 2 profesor njeri nga uamd dhe njeri nga Teramo. Gjuha do te jete shqip/ anglisht/ italisht
Pra, kemi një eksperiencë universitare që lidh Shqipërinë dhe Italinë dhe i jep studentit një profil shumë më evropian dhe ndërkombëtar.
Çfarë do të studiojnë konkretisht studentët?
Do të studiojnë tema që janë shume të rëndësishme për realitetin ku jetojmë sot: marrëdhëniet ndërkombëtare, institucionet dhe politikat ndërkombëtare, histori dhe gjeopolitikë, të drejtat e njeriut, ekonominë politike ndërkombëtare, politikat publike, zhvillimin e qëndrueshëm, komunikimin dhe reputacionin në hapësirën globale, si edhe çështje të Evropës dhe qeverisjes globale.
Pra, është një program që i mëson studentit jo vetëm të kuptojë botën, por edhe të analizojë se si mund të ndërhyhet në mënyrë profesionale në problemet dhe politikat që e formësojnë atë.
Kush mund të aplikojë? A është vetëm për studentët që kanë mbaruar Shkenca Politike?
Jo. Kjo është një tjetër avantazh i programit. Ai i drejtohet një spektri më të gjerë të diplomuarish, veçanërisht atyre me formim në shkencat politike, marrëdhëniet ndërkombëtare, drejtësi, ekonomi, histori, administrim publik apo fusha të afërta.
Pra, nëse një student ka përfunduar Bachelor-in dhe dëshiron ta çojë profilin e tij drejt politikave ndërkombëtare, Evropës, diplomacisë, zhvillimit të qëndrueshëm apo politikave publike, ky program është një mundësi shumë interesante.
Çfarë e dallon këtë Master nga një Master klasik në Marrëdhënie Ndërkombëtare?
Unë do ta përmbledhja me një fjalë: ndërdisiplinariteti.
Marrëdhëniet ndërkombëtare janë në qendër, por sot nuk mund ta kuptosh politikën ndërkombëtare pa kuptuar ekonominë, energjinë, klimën, teknologjinë, migracionin, sigurinë, të drejtat e njeriut dhe zhvillimin e qëndrueshëm.
Prandaj ky program përpiqet t’i japë studentit një panoramë më të gjerë dhe, mbi të gjitha, aftësinë për të lidhur këto fusha me njëra-tjetrën.
Po për tregun e punës? Ku mund të punojë një i diplomuar nga ky program?
Mundësitë janë të gjera pikërisht sepse profili është ndërdisiplinor.
Një i diplomuar mund të synojë institucione publike, administratën, organizata ndërkombëtare, organizata joqeveritare, institucione dhe perfshirjen ne projekte të Bashkimit Evropian, diplomaci dhe marrëdhënie ndërkombëtare, organizata që merren me zhvillimin e qëndrueshëm, kompani që kanë departamente të lidhura me politikat publike dhe qëndrueshmërinë, si edhe sektorin e tretë.
Programi i UniTE e koncepton pikërisht si një formim për specialistë që mund të analizojnë dhe menaxhojnë politika të lidhura me qëndrueshmërinë në sektorin publik, privat dhe atë të tretë.
Pse mendoni se ky program vjen në një moment të rëndësishëm për Shqipërinë?
Sepse Shqipëria po bëhet gjithnjë e më shumë pjesë e proceseve evropiane dhe ndërkombëtare. Ne kemi përpara integrimin në Bashkimin Evropian, transformimin e ekonomisë, sfidat e energjisë dhe klimës, migracionin, sigurinë, zhvillimin rajonal dhe një numër të madh politikash që kërkojnë njerëz të mirëformuar.
Na duhen të rinj që të mos e shohin Shqipërinë të shkëputur nga bota, por ta kuptojnë Shqipërinë brenda Evropës, Ballkanit dhe sistemit ndërkombëtar.
Pse një student duhet ta zgjedhë këtë program pikërisht në UAMD?
Sepse këtu kemi një kombinim që nuk ofrohet shpesh: një universitet publik shqiptar, një partneritet të drejtpërdrejtë me një universitet italian dhe një program me orientim të fortë ndërkombëtar dhe evropian.
Për një student, kjo do të thotë të studiojë në Durrës, por të ketë një perspektivë shumë më të gjerë se kufijtë e Shqipërisë.
Dhe kjo është edhe filozofia e Universitetit “Aleksandër Moisiu”: të krijojë programe bashkëkohore, të forcojë kërkimin dhe të ndërtojë bashkëpunime ndërkombëtare që u japin studentëve mundësi reale për zhvillim akademik dhe profesional.
Nëse do t’u drejtoheshit me një fjali studentëve që këtë vit duhet të zgjedhin Masterin e tyre, çfarë do t’u thoshit?
Do t’u thosha: Nëse dëshironi të kuptoni botën që po ndryshon dhe të jeni pjesë e profesionistëve që do të formësojnë të ardhmen e saj, ky është një program për ju.
Sepse sot nuk mjafton të kesh një diplomë. Duhet të kesh një profil që të lidh me Evropën, me botën dhe me problemet reale të së ardhmes.
Dhe pikërisht këtë synon të bëjë ky Master: të ndërtojë ura mes Shqipërisë, Evropës dhe botës.
Regjistrimet janë të hapura deri më 5 tetor 2026.
M.B.





