Gjatë vitit 2017, 35.173 studentë u diplomuan në një nga programet e studimit të arsimit të lartë.

Shifra vjen në rritje me 11% krahasuar me një vit më parë, ndërkohë që raporti gjinor dominohet nga gratë me 64.1%.

Duke analizuar fushat e studimit ku diplomohen studentët, bie në sy se pothuajse 1 në 3 vetë (29.6%) zgjedhin të studiojnë në fushën e “biznesit, administrimit dhe ligjit”. Kjo përkon me numrin e lartë të kuotave dhe studentëve që zgjedhin degët e ekonomikut apo juridikut.

Ndërsa në vendin e dytë renditet fusha “Shëndet dhe mirëqenie”, ku studiojnë një numër i lartë studentësh për mjekësi, infermieri, etj. Menjëherë pas kësaj fushe, ndjekin degët e shkencave sociale, gazetarisë dhe informacionit me 12.2% të numrit të të diplomuarve.

Të Diplomuar në arsimin e lartë sipas fushës së studimit, 2017

Midis fushave të ndryshme të studimit vihet re një ndarje e theksuar mes të diplomuarve në bazë të gjinisë. Gratë dominojnë në arsim, me 80.5%, ndjekur nga “shëndet dhe mirëqenie” me 76.9% dhe “shkenca sociale, gazetari dhe informacion” me 75%. Gratë dominojnë po ashtu edhe në fushat e studimit të ashtuquajtura “STEM” “Shkenca natyrore, matematikë dhe statistikë”.

Nga ana tjetër, fushat me më shumë burra janë “shërbime” me 72%, “inxhinieri, prodhim dhe ndërtim” me 60.2 %, dhe “bujqësi, pyje, peshkim dhe veterinari” me 57.7%.

Një raport disi të ekuilibruar ruajnë ndërkohë programet e studimit të fushës “Teknologji e informacionit dhe komunikimit”.

Pjesëmarrës në total në arsimin e lartë është 54% e të rinjve, ndërkohë që një numër i lartë studentësh kryen studimet jashtë vendit./scan