“Çdo student ekselent i Universitetit të Mjekësisë apo Infermierisë, hyn në procedura konkurimi për t’u punësuar në qendra shëndetësore ose spitale publike, me 10 pikë bonus”. Deklarata u bë nga ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu, gjatë ceremonisë së diplomimit të studentëve të tre fakulteteve të Mjekësisë dhe Fakultetit të Infermierisë në Tiranë.

Duke vlerësuar se nga zëri i studentëve për një arsim më cilësor, lindi pakti për universitetin, Manastirliu theksoi se do të përmbushen një për një të gjitha angazhimet e marra nga qeveria.

“Puna e nisur nuk do të ndalet derisa të realizohet çdo angazhim, që nga përmirësimi i kushteve në konvikte, te biblioteka dixhitale, tek tarifat e studentëve, transparenca e buxheteve, punësimi i studentëve ekselentë dhe krijimi i mundësive të barabarta për punësim”, tha Manastirliu.

Ministrja e Shëndetësisë deklaroi se do të garantohet që çdo profesionist, të punësohet me meritë.

Prej një viti po konsolidojmë portalin “Infermierë për Shqipërinë”, ndërsa jemi duke punuar për krijimin e portalit “Mjekë për Shqipërinë”, ku do të bëhen transparente vendet vakante dhe do të ofrohet më shumë mundësi përzgjedhje për mjekët e rinj, për t’u punësuar në sistemin shëndetësor publik”, tha në fjalën e saj Manastirliu.

Gjatë ceremonisë së zhvilluar në Pallatin e Kongreseve, u diplomuan 591 studentë të 3 fakulteteve të Mjekësisë dhe 1560 studentë të Infermierisë dhe Shkencave Mjekësore Teknike.