Nga Adivije Hoxha

Personat me aftësi të kufizuar fizike janë ajo pjesë e shoqërisë që të kujtojnë përgjegjësitë institucionale, ligjore dhe humane; që të kujtojnë kulturën dhe dinjitetin njerëzor, se jemi europianë dhe meritojmë të jemi në Evropë.

Në Durrës, sipas të dhënave, janë 11.883 persona me aftësi të kufizuar, të cilët jetojnë mes vështirësive ekonomike e sociale dhe mes barrierave arkitektonike e diskriminuese.

Qeveria shqiptare ka ratifikuar Konventën e OKB-së për të drejtat e personave me aftësi të kufizuar që në vitin 2012 dhe nga detyrimet e saj kanë dalë një sërë ligjesh dhe VKM-sh. Ndërsa, jemi në fund të 2020-tës, ku kanë kaluar 8 vite nga ratifikimi i kësaj Konvente, nga ku rrjedhin përgjegjësi shtetërore dhe të drejta njerëzore, ne vazhdojmë të kërkojmë e “bërtasim” për zbatimin e tyre.

Referohemi ligjit nr. 93/2014 “Për përfshirjen sociale dhe aksesueshmërinë e personave me aftësi të kufizuara”. 

Sipas ligjit konsiderohen pengesa: 

“…b) pengesat mjedisore, përfshirë vështirësitë në komunikim që kanë personat me dëmtime ndijore, veçanërisht ata me dëmtime në shikim dhe dëgjim, ata për të cilët komunikimi verbal është i kufizuar ose i pamundur e personat që kërkojnë formate të thjeshta për t’u lexuar dhe për t’u kuptuar; 

c) pengesat infrastrukturore, përfshirë ato në banesa, hapësira dhe shërbime publike…” (Neni 3)

Por, në mbështetje të këtij ligji del Vendimi Nr. 1074, datë 23.12.2015 “Pёr përcaktimin e masave pёr mënjanimin e pengesave në komunikim dhe infrastrukturë në ofrimin e shërbimeve publike për personat me aftësi tё kufizuar”,  duke përcaktuar masat për zbatimin dhe unifikimin e rregullave për mënjanimin e pengesave mjedisore dhe infrastrukturore për të bërë të mundur aksesin në strehim, transport, shëndetësi, kujdes social, arsimim, punësim dhe shërbime për personat me aftësi të kufizuara. 

Në kapitullin e rregullimeve të përgjithshme të këtij vendimi, në pikën 4, përcaktohen subjektet përgjegjëse për mënjanimin e këtyre pengesave: 

a) bashkitë dhe strukturat e tyre të kontrollit, sipërmarrësit privatë, administratorët e bizneseve, kompanitë e projektimit e të zbatimit të projekteve ndërtimore, si dhe të gjitha subjektet përgjegjëse për të garantuar një mjedis pa pengesa për kategorinë e personave me aftësi të kufizuara; 

b) të gjitha ndërtimet e strukturat ndërtimore të reja dhe ekzistuese, kryesisht objektet e shëndetit publik, banesat dhe objektet rezidenciale, shkollat dhe institucionet shkencore, objektet kulturore, objektet e kultit, qendrat tregtare, institucionet administrative e të shërbimit publik, ndërmarrjet e qendrat e punës, në mjediset e të cilave ofrohen shërbime publike, parqet, sheshet e rrugët; 

c) mjetet e transportit publik; 

d) mediat dhe tërësinë e mjeteve publike apo private të informimit publik. Në vendim përcaktohet që standardet e përshtatshmërisë duhet të zbatohen në të gjitha strukturat ndërtimore si ato të reja dhe në ato ekzistuese. 

Gjithashtu, ato duhet të zbatohen për transportin publik. (Pika 5,6.7,8) Për të bërë të mundur zbatimin e standardeve të përshtatshmërisë, është e nevojshme që të hartohet një plan masash së bashku me buxhetin mbështetës brenda 6 muajve nga hyrja në fuqi e këtij vendimi dhe të zbatohet 12 muaj nga data e miratimit të planit të masave. 

Përgjegjës për hartimin e miratimin e planit të masave është çdo subjekt që ofron shërbime për publikun (Pika 9), Masat për përshtashmëri duhet të jenë pjesë e specifikimeve teknike dhe një nga kushtet e detyrueshme për tu plotësuar në një proces prokurimi (Pika 15). 

Pika 16 e këtij vendimi parashikon ndalimin e financimeve nga ana e shtetit apo enteve publike dhe jopublike/donatorëve për ndërtimin e një vepre, me qëllim ofrimin e shërbimit publik nëse objekti nuk zbaton masat për mënjanimin e pengesave për personat me aftësi të kufizuar.

Nuk mund të lë pa përmendur  Ligjin Nr. 107/2014: “Për planifikimin dhe zhvillimin e territorit” që pёrcakton, që: “të gjitha ndërtimet për banesa, hapësira dhe shërbime për publikun, përfshirë parqet, sheshet dhe rrugët, duhet të plotësojnë kërkesat dhe standardet e përshtatshmërisë për personat me aftësi të kufizuara, sipas dispozitave të përcaktuara në rregulloren për shfrytëzimin e hapësirave nga ana e personave me aftësi të kufizuara”. Përshtatshmëria e ndërtimeve të reja apo në proces rikonstruksioni, si më sipër, është kusht për marrjen e lejes së ndërtimit dhe çertifikatës së përdorimit. Institucionet që ofrojnë shërbime për publikun janë përgjegjëse për të përshtatur mjediset ekzistuese të cilat ato administrojnë.

Dhe krahas kësaj  ecën dhe VKM Nr.1503, datë 19.11.2008 për  miratimin e rregullores për “Shfrytëzimin e hapësirave nga ana e personave me aftësi të kufizuar” që  ka për qëllim zbatimin e rregullave për eliminimin e barrierave arkitektonike në banesat, hapësirat dhe shërbimet publike. Rregullorja e shtrin efektin e saj në objektet e reja publike dhe private të ndërtuara me fonde publike dhe private. Rregullorja përcakton se në ndërtesat dhe hapësirat publike ekzistuese, duhet të identifikohen dhe të llogariten të gjitha mundësitë për përshtatje. Zgjidhjet teknike për përshtatshmërinë duhet të jenë të njëjta si në projekt-idenë, projekt-zbatimin dhe projektin e objektit të përfunduar. 

Por moszbatimi i këtij legjislacioni bën që personat me aftësi të kufizuar të ndjehen të diskriminuar nga pushteti vendor dhe qendror, pasi në asnjë institucion  shtetëror, ku ofrohen shërbime publike, nuk ka përshtatshmëri…

Ne, nuk mund të marrim dot shërbimet e nevojshme në Bashki, ku shkallët e shumta në hyrje nuk kanë as një shirit me reliev për personat që nuk shikojnë, jo më rampë apo platformë për paraplegjikët. Ndërsa, për ambientet e brendshme, as që mendohet…

Por, e njëjta situatë është dhe në Prefekturë, apo te Zyra e Mbrojtjes Sociale, ku dhe përballjet e problematikat janë më të shpeshta.

Ironike mbetet situata te Poliklinika Qendrore, ku është dhe domosdoshmëria emergjente për të marrë shërbimet shëndetsore, pasi të gjithë mjekët specialistë “krekosen” në katin e dytë e të tretë, mbi 40 shkallë të numëruara…

Dhe po të vazhdojmë me institucionet social-kulturore: Pallati i Kulturës “Aleksandër Moisiu” krejtësisht i  papërshtatshëm… E them me dhimbje këtë, pasi si anëtare e Klubit të Shkrimtarëve dhe Artistëve-Durrës, shpesh’herë jam “bjerrur” shkallëve të tij, e diskriminuar me karrigen time me rrota, nëpër aktivitetet kulturore apo promovimet e organizuara..

Po te Biblioteka e qytetit, që asnjëherë nuk e kam frekuentuar për shkak të mungesës së përshtashmërisë. 

Por, problem mbetet dhe arsimi, ku në shumicën e shkollave ekzistuese, (përjashtuar ndonjë të ndërtuar kohët e fundit), mungojnë jo vetëm rampat  me standartet e duhura, por dhe ashensorët apo tualetet e ambjentet e tjera të përshtatura për lëvizjen e karriges me rrota, pa folur për mësuesët ndihmës, të cilët janë tepër të paktë  krahasuar me nevojat.

Personat me aftësi të kufizuar nuk janë të sigurtë as në rrugë, pasi trotuaret janë të ngushta dhe për ironi, kanë edhe pemë apo shtylla në to, gjë që i detyron të ecin në rrugën e makinës, ku rreziku shumëfishohet. 

Duhet përmendur me entuziazëm ndërhyrjet në trotuaret ekzistuese në lagjen 17, nga ndërmarrja e urbanistikës, që i është përgjigjur kërkesës sonë me shumë korrektësi e dashamirësi dhe pse mes vështirësive që iu krijonin trotuaret e ngushta. 

Në Durrës mungojnë vend-parkimet e rezervuara për personat me aftësi të kufizuar. Në bulevardet, rrugët kryesore apo pranë institucioneve nuk ka asnjë vend-parkim të rezervuar dhe pse ligjërisht 5% e vendeve duhet  përshtaten në raport me numrin total të parkimeve, por jo më pak se një. Të merr frika të hysh në qytet apo të kërkosh një shërbim diku ne institucione, kudoqoftë, se nuk ke ku lë makinën. Për në parkimet private nuk bëhet fjalë të kesh vendparkim falas, (sipas ligjit) se kur nuk i zbatojnë institucionet shtetërore si do t’i zbatojë privati…(!!!) 

Shërbimi urban lë shumë për të dëshiruar. Pasi dhe nëse ka aksesin e duhur automjeti, nuk ka etikë komunikimi dhe asistencë shërbimi nga stafi i urbanëve, ndërkohë që duhet të jenë të informuar dhe të trajnuar për ndihmën që duhet të japin! Nuk ka asnjë tabelë lajmëruese për oraret kur kalon automjeti i përshtatshëm. Nuk ka asnjë semafor akustik lajmërues për personat që nuk shikojnë, apo shenja informuese për personat që nuk dëgjojnë e nuk flasin. 

Madje, ne dhe jemi ankuar për sjelljet denigruese të Bashkisë së Durrësit dhe operatorëve urban në këtë qytet ndaj personave me aftësi të kufizuar tek Komisioneri për Mbrojtjen nga Diskriminimi, ku ky i fundit, bazuar në fakte konkrete, mbajti qëndrim duke e penalizuar Bashkinë me gjobë. 

Të gjitha këto problematika bëjnë që Personat me Aftësi të Kufizuar (PAK) të ndjehen të Diskriminuar kudo. Dhe këtu përmend Ligjin nr. 10221, datë 04.02.2010, “Për mbrojtjen nga diskriminimi” që iu kërkon subjekteve publike dhe private të mos diskriminojnë në bazë të aftësisë së kufizuar (Neni 7). Mohimi i Përshtashmërisë nga këto subjekte konsiderohet diskriminim. Ky ligj konkretizon nenin 18 të Kushtetutës, që sanksionon respektimin  e  parimit të  barazisë dhe mosdiskriminimin, ndër të tjera edhe në lidhje me aftësinë e kufizuar.  

Shoqata e invalidëve Paraplegjikë-Tetraplegjikë e Shqipërisë, dega Qarku Durrës, nuk ka reshtur asnjëherë së kërkuari zbatimin e kuadrit ligjor për Përshtatshmëri për Personat me aftësi të kufizuara, për të mundësuar dhe krijuar një qytet të barabartë dhe gjithëpërfshirës. 

Për Përshtatshmërinë për personat me aftësi të kufizuar fizike janë hartuar Plane Kombëtare të Veprimit, janë bërë Konferenca Kombëtare, janë ndarë përgjegjësi, por askush nuk mban PËRGJEGJËSI për moszbatimin. 

Ndërkaq, ne vazhdojmë të bëjmë shkresa dhe sa herë ndërrohen kryetarët në Durrës….

Madje me këtë rast, falënderojmë dhe Fondacionin “Sëbashku” që përmes projekteve të herëpas’hershme ka sensibilizuar dhe ndihmuar në evidentimin e barrierave kudondodhen, me kërkesa llogarie bazuar në fakte konkrete dhe bazë ligjore, gjithë Institucionet në Durrës.

Përshtatshmëria për personat me aftësi të kufizuar mbetet një proces që ecën me zhvillimin.

Vazhdojnë “betonizimet” qyteteve, por për aftësinë e kufizuar pakkund mendohet, ose mjaftohen diku-diku me ndonjë rampë dhe harrojnë (apo nuk kanë informacion) se duhen edhe elementë të tjerë për personat me shikim të dobët apo mungesë shikimi, në mënyrë që këto ambjente apo hapësira publike të jenë gjithpërfshirëse.

Harrojnë se jemi një qytet mijëravjeçar me një histori dhe klimë të mrekullueshme që josh qindra turistë gjatë gjithë vitit dhe duhet të shpalosim kulturë e ambient të përshtatur gjithpërfshirës. 

Ne, nuk duhet të heshtim para së keqes, se heshtja është vrastare dhe sjell pasoja që rikuperohen me vështirësi, por duhet të mos lodhemi duke përsëritur se personat me aftësi të kufizuar fizike janë pjesë e shoqërisë, që po të investosh duke iu krijuar mundësi për jetesë të  pavarur mund të kthehen, nga barrë, në kontribues për veten dhe shoqërinë.

Kjo gjë ndihmon të gjithë, duke na bërë një shoqëri më të mirë, më të kulturuar dhe më dinjitoze.

Adivije Hoxha

Kryetare e shoqatës së invalidëve paraplegjikë-tetraplegjikë e Shqipërisë, dega Qarku-Durrës.

Ky artikull u realizua në bashkëpunim me Fondacionin “Sё Bashku” në kuadër të projektit “Tё veprojmё pёr aksesueshmёrinё ” dhe mbështet nga “Lëviz Albania”, një projekt i Agjencisë Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim, SDC.