Fakulteti i Biznesit, i universitetit “Aleksandër Moisiu” të Durrësit, së bashku me një grup shkollash profesionale nga qytete të ndryshme të vendit, kanë filluar zbatimin e fazës së dytë të projektit HISTEK, projekt ky që mbështetet nga Bashkimi Evropian me pjesëmarrjen e partnerëve edhe nga Mali i Zi dhe Italia.

Projekti HISTEK parashikon hartimin e kurrikulave dhe të programeve të studimit për kualifikimin e specialistëve të lartë në fushat ku ndërmarrjet e vogla dhe të mesme kanë më shumë nevojë.

Niveli i kualifikimit që projekti synon është ai i programeve të studimit me karakter profesional pas arsimit të mesëm.
Prof. Asoc. Dr. Azeta Tartaraj, Dekane e Fakultetit të Biznesit, theksoi se programe të tilla studimi janë në përputhje edhe me direktivat e Bashkimit Evropian dhe kërkesat e kohës që arsimi dhe formimi profesional t’iu përgjigjen tregut të punës dhe nevojave të biznesit.