Në një vend ku armët ndodhen ende në duart e popullatës dhe vrasjet e plagosjet prej tyre mbeten një problem ende i pazgjidhur, siguria është e cënuar seriozisht jo vetëm jashtë, por edhe brenda 4 mureve të shtëpisë. 

Shoqata "Gratë, Siguria dhe Paqja" dhe koalicioni me të njëjtin emër, në përbërje të të cilit janë 32 organizata të shoqërisë civile nga i gjithë vendi, kanë nisur nga Durrësi një fushatë ndërgjegjësuese dhe lobuese për të rinjtë dhe gratë në fushën e sigurisë dhe paqes. Në takimin e zhvilluar në ambjentet e UAMD-së morën pjesë përfaqësuesit e koalicionit, të Drejtorisë së Policisë së Qarkut dhe Universitetit "Aleksandër Moisiu"

Kjo nismë vjen në kuadër të zbatimit tё projektit "Rezoluta 1325, tё drejtat e grave, nga koncepti nё realitetin shqiptar", financuar nga UN Women, Fondi pёr Barazinё Gjinore. Nё shtator tё vitit 2018, Shqipёria hartoi Planin e Veprimit pёr Rezolutёn 1325 të Këshillit të Sigurisë së Kombeve të Bashkuara. Miratimi i këtij Plani i hapi rrugë veprimeve institucionale pёr zbatimin e axhendёs "Gruaja, Siguria, Paqja".

Nё kuadrin e rolit qё luan shoqёria civile nё zbatimin e kёtij plani, zhvillimi i fushatave ndёrgjegjёsuese e lobuese për një organizim të ri të dorëzimit vullnetar të armëve që marrin jetë, mbetet njё aspekt i rёndёsishёm dhe i domosdoshёm. Bajana Çeveli, drejtore ekzekutive e SHGPS, duke prekur problematika të përditshme theksoi domosdoshmërinë e kësaj nisme dhe përfshirjen e të rinjve në të, për të siguruar jetën e shëndetin e të gjithëve dhe kthyer Shqipërinë në një vend të sigurit e në paqe, larg përdorimit të armëve dhe dhunës. 

Pjesë e panelit, Prof. As. Dr. Griselda Abazaj, dekane e Fakultetit të Edukimit në UAMD foli mbi rëndësinë e sigurisë dhe paqes të parë dhe në aspektin gjinor. Më tej nga ekspertët u theksua nevoja e angazhimit të të gjithëve për një vend më të sigurtë dhe larg armëve dhe dhunës, veçanërisht dhunës kundër grave e vajzave, në familje e shoqëri.