Të gjithë ata studentë që janë kreativë dhe iu pëlqen teknologjia, e kanë aspiratë për t’u bërë profesionistë të vërtetë në të ardhmen, por që nuk e kanë vendosur ende se në cilin drejtim do të vazhdojnë studimet, kanë mundësinë ideale për t’u bërë pjesë e degës “Multimedia dhe Tv Digjital”.

“Multimedia dhe Televizion Digjital” është një nga gjashtë programet e ciklit të parë të studimit Bachelor që ofron Fakulteti i Teknologjisë së Informacionit në universitetin “Aleksandër Moisiu” Durrës.

Ky program unik studimi në Shqipëri, i dizenjuar si një qasje kundrejt evolucionit te vazhdueshëm të mediave, synon të përgatisë specialistë në fushën e “Multimedias dhe Televizioneve Digjitale”.

MTVD është një program unik, i cili fokusohet në marrëdhëniet inxhinierike në industritë e televizionit dhe jo vetëm. Studentët edukohen profesionalisht në përdorimin, dizenjimin dhe zhvillimin e zgjidhjeve në fushën e teknologjive të aplikuara të “Multimedias dhe Televizionit Digjital”.

Fokusi kryesor i këtij programi është t’i mësojë studentët të komunikojnë më lehtë me anë të mediumeve multimediale.

Falë investimit të Bashkimit Europian, kjo degë studimi sjell si risi dy laboratorë të standartit të lartë, nga ku studentët kanë mundësi të krijojnë produksionet e tyre multimediale, projektet dhe punët e tyre i ndihmojnë ata të kuptojnë se në cilin sektor kanë më shumë prirje, duke i afruar ata më shumë me tregun e punës.

“Multimedia dhe Televizion Digjital” është ndërtuar bazuar në tregun e punës dhe nevojave aktuale që ka sot Shqipëria, duke ofruar njohuri teorike dhe praktike për profesionistët e së ardhmes në fushat e multimedias.

Më 3 prill të këtij viti, UAMD inauguroi dy investime të mëdha: laboratorin bashkëkohor të Multimedias dhe studion audio-vizive. Investimet e ndërmarra janë në kuadër të projektit Erasmus+: “Zhvillimi dhe zbatimi i kurrikulës së Multimedias dhe TV Digjital”.

Projekti “Zhvillimi dhe zbatimi i kurrikulës së multimedias dhe televizionit digjital – DIMTV” koordinohet  nga universiteti “Aleksandër Moisiu” dhe zbatohet në partneritet me Universitetin e Lubjanës, Universitetin e Tartusë, Universitetin Teknik të Ostravës, Universitetin Epoka, Universitetin e Prishtinës, Universitetin për Biznes dhe Teknologji të Prishtinës dhe Radio Televizionin Shqiptar.