Mëngjesin e sotëm ka përfunduar testimi i 2 rasteve të reja të dyshuara, qytetarë që kanë patur histori udhëtimi me Italinë, të cilët kanë rezultuar negativë për COVID-19. Deri tani janë testuar 31 raste në laboratorin e ISHP.

“Shqipëria nuk ka asnjë rast të prekur nga koronavirusi i ri deri në momentet që flasim. Janë 31 të testuar, që kanë rezultuar negativ sa i takon prekjes nga koronavirusi i ri”.

Deklarata u bë nga ministrja Manastirliu në Kuvend, gjatë fjalës së saj për prezantimin e masave të deritanishme për përballimin e depërtimit dhe përhapopjes së COVID-19 në vendin tonë.

Ministrja në fjalën e saj theksoi se janë forcuar kapacitetet laboratorike për testimin e rasteve potenciale.

“Ne kemi përforcuar aksionet tona në drejtim të kapaciteteve laboratorike për identifikimin e koronavirusit të ri. Janë përcaktuar gjithashtu udhëzuesit si të veprohet për rastet potenciale”, u shpreh ministrja.

Manastirliu gjatë fjalës saj në Kuvend tha se janë dyfishuar masat e marra në pikat kufitare, ndërkohë që është rritur dhe stoku i materialeve mbrojtëse antivirale.

“Kemi dyfishuar masat e marra në pikat kufitare. Kemi marrë masa edhe me medikamente. Janë marrë masa në spitalin Invektiv, në spitalin “Shefqet Ndroqi” për të ndjekur rastet. Kemi rritur dhe stokun për medikamentet antiviral që rekomandohen që përdoren në raste të ngjashme të trajtimit të këtij virusi. Kemi shtuar kapacitetet e Urgjencës Kombëtare, ku mund të priten mbi 5000 telefonata në ditë”, tha Manastirliu.

Ministrja deklaroi në fjalën e saj në Kuvend se Komiteti i Ekspertëve ka marrë masat për të vendosur sipas specifikave përkatëse Kavalishencën e Ministrisë së Mbrotjes ku do vendoset karantinimi i personave të kontaktit nëse do jetë e nevojshme.

Duke siguruar se strukturat e shëndetësisë kanë rritur vigjilencën në këtë situatë, Manastirliu ju drejtua qytetarëve të mos kenë panik.