Në një kohë që hekurudha shqiptare gjendet në kolaps total, me zgjidhje që jepen vetëm në letër, në Durrës janë mbledhur krerët sindikalistë nga vendet e Europës Juglindore.

Konferenca ndërkombëtare me temë “Rehabilitimi i infrastukturës hekurudhore” ka sjellë nga pjesëmarrësit, përfaqësues të sindikatave të hekurudhave nga vende të ndryshme të Europës Juglindore duke transmetuar eksperiencat e vendeve të tyre në drejtim të zhvillimit hekurudhor.

Për herë të parë merrte pjesë edhe Kosova. Kësaj here, Shqipëria ishte zgjedhur si vendi mikpritës, tha kreu i Sindikatës së Pavarur të Hekurudhës Shqiptare, Osman Meta.

Gjatë kësaj konference, përfaqësuesit e vendeve pjesëmarrëse kanë prezantuar përvojat dhe arritjet e tyre ndër vite. Një nga objektivat ishte edhe njohja e vizitorëve me resurset turistike të Shqipërisë.

Vendi ynë aderon në këtë grupim që nga viti 1998, duke gëzuar të drejta të plota me të gjithë shtetet pjesëmarrës në të.

K.H.