Muaji i Ramazanit në Shqipëri dhe në mbarë botën, pritet me shtim në adhurime nga besimtarët myslimanë, pasi janë 30 ditë dedikuar më shumë adhurimit dhe këndimit të Kuranit, sadakasë dhe mirëbërësisë e dhembshurisë. 

Këto ditë përmbajnë brenda tyre natën më të vlefshme dhe më të gjurmuar të gjithë muajit të Ramazanit, Natën e Kadrit, që është sonte.

Mbyllja e xhamive për të kryer faljen në grupe kolektive dhe mungesa e iftareve të përbashkëta ka shoqëruar këtë muaj të Ramazanit, për shkak të situatës së COVID-19. Por, Imami Ervin Qylafku, i cili e drejton Xhaminë e Madhe në Durrës, thotë se çdo besimtar është lutur dhe falur në mënyrë private dhe familjare.

“Natën e Kadrit përcaktohet e gjithë ecuria dhe mbarëvajtja e gjithë njerëzve për vitin që vjen. Është një natë që përjetohet ndryshe, kur gjithë njerëzit mundohen të bëjnë sa më shumë adhurime. Përkushtimi është i jashtëzakonshëm dhe ka shumë shpërblime”, thotë Qylafku.

Imami jep dhe një mesazh urimi për këtë ditë, që situata të tilla si kjo që po kalon vendi të kalojnë sa më shpejt dhe qyteti t’i kthehet normalitetit.

“I lutem Zotit që ta kthejë situatën në normalitet dhe njerëzit të ingranohen përsëri në shoqëri dhe jetën e yre të mëparshme. Zoti i bekoftë të gjithë shqiptarët kudo ndodhen”.