Nis aplikimi për në universitet nëpërmejt plotësimit të formularit A2, ku maturantët kanë të drejtë të listojnë 10 degë të ndryshme studimi. Afatet e aplikimit, kanë nisur nga dita e mërkurë dhe vazhdojnë deri më datën 5 gusht.

Plotësimi i formularit  A2 bëhet online në portalin “U Albania”. Të gjithë maturantët që duan të garojnë për në universitetet publike dhe private duhet që të bëjnë plotësimin e degëve ku duan të studiojnë. Këtë vit akademik, kriteri për të ndjekur një degë të caktuar në universitet është mesatarja e gjimnazit 6.5, ndërsa për mësuesinë është 7.5.

Por ka edhe universitete siç është ai i Mjekësisë që mesataren e aplikimit e ka mbi 8. Deri më tani, sipas të dhënave zyrtare të rrjetit akademik shqiptar, kanë shprehur interes për në shkollën e lartë 5 mijë maturantë.

Pjesë e garës në universitet pritet të bëhen rreth 24 mijë maturantë, pasi kjo përkon me numrin e studentëve që kanë kryer pagesën e aplikimit. Fituesit e fazës së parë do të shpallen më 30 gusht 2019.