Tuberkulozi mbetet një nga 10 shkaqet kryesore të vdekjeve në të gjithë botën. Miliona njerëz vazhdojnë të sëmuren nga kjo sëmundje çdo vit dhe në Shqipëri situata paraqitet alarmante.

Sipas raportit më të fundit të Organizatës Botërore të Shëndetit, 10 milion raste janë shtuar me këtë sëmundje vetëm vitin e shkuar, ndërsa humbën jetën 484 mijë njerëz përgjatë 2018.

Sa i përket të dhënave të përditësuara për vitin 2018 për Shqipërinë, theksohet se ka pasur raste në rritje dhe se numri i të prekurve gjatë vitit të shkuar ishte plot 440.

Të dhënat tregojnë se 73% e të prekurve janë burra dhe 26 % janë gra. Gjithashtu, raporti tregon se, në fund të këtij viti, për Shqipërinë do të merren evidenca të reja.

Tuberkulozi është një sëmundje infektive ngjitëse, e shkaktuar nga mykobakteri tuberkular. Zakonisht ky mikrob sulmon mushkëritë, por mund të prekë gjithashtu edhe organe të tjera të trupit të njeriut.