Ditën e martë më 22 tetor, në shkollën speciale në Durrës, u organizua “Open Day” me pjesëmarrjen e rreth 100 fëmijëve, në aktivitete të ndryshme sportive bazuar në nevojat e tyre individuale.

Fëmijët u ushtruan në palestrën e shkollës Speciale për Fëmijët me Aftësi të Kufizuara, nën instruktimin e ekspertit të aktiviteteve sportive dhe njëherësh menaxherit të këtij projekti, Francesco Vitobello.

Projekti “Përfshirja dhe integrimi social i fëmijëve me aftësi të kufizuara” duke shfrytëzuar rolin social që ka sporti, organizohet nga Qendra Edukative Sportive dhe Kulturore “Juvenilja 2014”, në kuadër të Programit Rajonal për Demokracinë Vendore në Ballkanin Perëndimor – ReLOaD, i cili financohet nga Bashkimi Evropian (BE) dhe zbatohet nga Programi i Kombeve të Bashkuara për Zhvillim (UNDP), në bashkëpunim me Bashkinë Durrës si një nga 12 bashkitë partnere të programit në Shqipëri.

Misioni i këtij projekti është të ndihmojë atë pjesë të popullsisë që ka probleme të theksuara psiko-fizike dhe sociale, veçanërisht fëmijët dhe adoleshentët në nevojë.

Ky projekt pilot synon që rreth 100 fëmijët e regjistruar në Shkollën Speciale për Fëmijët me Aftësi të Kufizuara në Durrës, nga të cilët 68 djem dhe 32 vajza, të jenë përfitues direkt duke synuar një ndikim më të gjerë te komuniteti dhe aksesibilitetin e fëmijëve.

Programi zhvillohet në kuadër të projektit “BE INCLUSIVE “sipas planit të përfshirjes sociale të Bashkisë Durrës”.
Po ashtu, edhe mësueset e shkollës speciale për fëmijët me AK, janë trajnuar për të bërë të mundur që ato të mësojnë metodologjinë e stërvitjes së adaptuar për fëmijët me aftësi ndryshe.