Këtë të martë, u prezantua në universitetin “Aleksandër Moisiu” në Durrës platforma Super Generation, nisma më e fundit e ALBtelecom për të tërhequr dhe mbështetur talentet e reja.

Drejtoresha e Çështjeve të Korporatës në ALBtelecom, Jonilda Filipi, i njohu studentët e Fakultetit të Teknologjisë së Informacionit dhe atij të Biznesit me nismën dhe kërkoi nga ata t’i bashkohen këtij me ide biznesi, ide me ndikim social apo ide krijuese për ta bërë qytetin dhe jetën më të gjallë.

Super Generation është konceptuar si një konkurs me 3 faza. Në fazën e parë studentët duhet të ndajnë idetë e tyre me profesionistët e ALBtelecom në mënyrë që të mund ta zhvillojnë dhe pasurojnë atë më shumë.

Faza e dytë i përket hackathon-eve, ku aplikantët do të ndërtojnë skuadra, trajnohen për të zhvilluar idetë e tyre si dhe do të udhëzohen nga mentorë të apasionuar të fushës.

Ndërsa në fazën e tretë do të përzgjidhen dhjetë idetë më të mira inovatore dhe sipërmarrëse. Mandej ato do të prezantohen për publikun përmes videove të shkurtra, që do të votohen nga publiku.

Në përfundim të fazës së aplikimeve do të përzgjidhen 10 idetë më të mira, ndërsa ideatorët do të trajnohen për të zhvilluar më tej idenë e tyre. Çmimi i madh i jurisë VIP do të jetë 2000 Euro, çmimi i publikut 500 Euro dhe mundësi për të fituar plot çmime e dhurata të tjera.

Të rinjtë e talentuar që kanë një ide aplikacioni ose start up-i që iu ofrojnë zgjidhje të reja komunitetit apo konsumatorëve janë të mirëpritur të aplikojnë në faqen e internetit të këtij projekti www.supergeneration.al