Certifikatat “online”, projekti më i ri i Bashkisë së Tiranës Banorët e Tiranës nuk do të rrinë më në radhë të gjata për të marrë certifikata në njësitë administrative përkatëse.

Brenda dy muajsh, Bashkia e Tiranës do t’i ofrojë çdo qytetari mundësinë për t’i marrë certifikatat e Gjendjes Civile “online” në bankomate ose në “e-kioskë”, gjatë të gjithë 24-orëshit.Sipas bashkisë, implementimi i kioskave vetëshërbyese do të realizohet përmes ndërtimit të një “software” (programi) ku do të ruhen të dhënat dhe statistikat e aplikantëve në pikat e vetëshërbimit.

Sistemi i Gjendjes Civile do të ndërlidhet me sistemin elektronik të Gjendjes Civile në kohë reale, do të zvogëlojë radhën e pritjes dhe do të përmirësojë cilësinë e shërbimit.Sipas Bashkisë së Tiranës, për të marrë certifikatat përmes këtij vetëshërbimi, qytetarët do të aplikojnë me kartën e identitetit ose përmes emrit të përdoruesit dhe fjalëkalimit.

Por, shërbimi “e-kioskë” nuk do të shërbejë vetëm për certifikatat “online”, por edhe për të dërguar elektronikisht gjatë të gjithë kohës kërkesa dhe ankesa pranë bashkisë.

Ky është projekti më i ri që do të investojë Bashkia e Tiranës, e cila ka 24 njësi administrative dhe që do t’u shërbejë rreth 860 mijë banorëve.Në faqen e Agjencisë së Prokurimit Publik thuhet se, shërbimi “e-kioskë” do të ofrohet në çdo njësi administrative dhe se afati i fundit për dorëzimin e dokumenteve nga ana e kompanive konkurruese është data 29 gusht.