5shtator 2015 – Partia Socialiste përjashton nga radhët e saj Armando Prengën. Deputetja Olta Xhaçka foli në emër të PS-së, duke deklaruar se kjo parti dënon ngjarjen veprimet që ishin pjesë e ngjarjes së turpshme në Laç, ku i përfshirë rezulton të ketë qenë edhe deputeti Armando Prenga.
“Me përgjegjësinë e plotë politike dhe publike Partia Socialiste dhe qeveria jonë e kanë shpallur të mbyllur kapitullin e shëmtuar të historisë së pandëshkueshmërisë, qysh në ditën e parë të mandatit tonë qeverisës.

Armando Prenga ka humbur çdo të drejtë morale të jetë pjesë e Partisë Socialiste. Ndërsa si autor i akuzuar, duhet të japë përgjegjësi para drejtësisë”, deklaroi ajo.

Ndërkohë, në emër të mazhorancës, Xhaçka përçoi një mesazh për Berishën e Bashën, duke thënë se ata nuk kanë dhënë llogari për ngjarje më të rënda, siç është ajo e vrasjes së 4 qytetarëve më 21 janar 2011.

Pas Tom Doshit, Armando Prenga është deputeti i dytë socialist i përjashtuar nga PS brenda 6 muajsh.

/portali DurresLajm/