Arkitekti i fushatës së presidentit amerikan Donald Trump, i cili është gjithashtu drejtues i fushatës elektorale të Partisë Demokratike, mbajti një fjalim të fuqishëm në mitingun që çeli fushatën e “Aleancës për Shqipërinë Madhështore”. Ai ftoi shqiptarët të mbështesin PD-në dhe Sali Berishën në zgjedhjet e 11 majit.
“Shumë kush është gati ta bëjë Shqipërinë madhështore sërish”, u shpreh LaCivita në nisje të fjalimit të tij, duke theksuar se është koha që Shqipëria të ndryshojë drejt një të ardhmeje më të ndritur.
Ai iu referua edhe ngjarjeve politike në SHBA, ku theksoi se në vitin 2024, socialistët në Shtetet e Bashkuara u përpoqën të fusin Donald Trump në burg, por ata dështuan. “Donald Trump nuk u dorëzua. Ata dështuan. Në vitin 2025, këtu në Shqipëri, socialistët duan të fusin në burg gjithë opozitën e tyre. Edhe këtu do të dështojnë”, tha LaCivita.
Ai kritikoi ashpër bilancin e 12 viteve të qeverisjes socialiste në Shqipëri, duke akuzuar pushtetin për krim, drogë dhe dështime ekonomike. “Pse të votoni për partinë që i krijoi të gjitha këto probleme?”, pyeti ai, duke ftuar qytetarët të votojnë për PD-në dhe Sali Berishën. “Votoni për Dr. Berishën. Jepini vendit tuaj mundësinë. Dhe jepini njerëzve shpresë,” theksoi LaCivita në fund të fjalimit të tij.