TIRANË, 25 shkurt 2013 –Partia Socialiste dhe lideri i saj Edi Rama kanë marrë një letër urimi nga partia Socialiste franceze, për prezantimin e programit të ri elektoral. Siç njofton zyra për shtyp e kësaj partie, ka qenë sekretari për marrëdhëniet ndërkombëtare i PS franceze, Jean Christopher Cambadels, i cili ka përshëndetur aktivitetin e PS-së, ku për dy ditë me radhë shpalosi në mënyrë të detajuar programin e ri politik të saj.
“Në emër të Partisë Socialiste Franceze dhe në emrin tim, unë dëshiroj t’ju shpreh partisë suaj dhe juve personalisht, të gjithë mbështetjen tonë për suksesin e fushatës suaj. Manifesti Juaj është padyshim një udhërrëfyes për integrimin e Shqipërisë në Bashkimin Europian dhe çka është akoma edhe më e rëndësishme, ajo është gjithashtu një përgjigje për pritshmëritë legjitime të popullit tuaj për një jetë më të mirë dhe për një të ardhme më të mirë, njëlloj të drejtë për të gjithë”, thuhet në këtë letër.
Më tej ai shkruan se, “gjithkund në Europë, nga Parisi në Tiranë, ne po përballemi me të njëjtat sfida: Lufta kundër masave shtrënguese, rikthimi i mirëqenies, krijimi i më shumë vendeve të punës dhe sigurimi i një të ardhmeje për qytetarët tanë. Familja jonë socialiste është alternativa kundër konservatorizmit dhe populizmit dhe ne mbështetemi tek socialistët shqiptarë për të dhënë kontributin e tyre për zhvillimin e një demokracie paqësore në Ballkan. Partia Socialiste (Franceze) dhe unë vetë e mirëpresim fitoren tuaj dhe një Rilindje të re të Shqipërisë”, përfundon urimin socialisti francez, Cambadels.