Ministrja e Shtetit për Inovacionin dhe Administratën Publike, Milena Harito, deklaroi në Komisionin e Ligjeve se do të rishikohet niveli i pagave në administratën publike, raporton sot “Panorama”.

Sipas saj, kërkesat dhe kompetencat në punë janë të larta, ndërkohë që pagesa për administratën është e ulët. Ajo tha se niveli i pagave do t’i nënshtrohet një strategjie, e cila po kërkon financues të huaj.

Ndërkohë që gjatë mbledhjes, deputetët e maxhorancës kanë ngritur shqetësime për ligjin e nëpunësit civil. Sipas Petrit Vasilit, nga testet e DAP-it po eliminohen persona me 20 vjet eksperiencë dhe po fitojnë të rinj që s’kanë punuar ndonjëherë në administratë.

Vasili tha dje se nga konkurset në administratë kanë aplikuar 20 mijë kandidatë dhe nga këta nuk janë plotësuar 1 mijë vende vakante, kjo sipas tij është shqetësuese.

Ndërkohë që Fatmir Xhafaj tha se niveli i juristëve në administratën publike lë për të dëshiruar. Ai theksoi se ligjet që vijnë në Kuvend janë të cilësisë shumë të dobët dhe duhen ribërë nga e para.

Ndërsa Pandeli Majko tha se ligji i administratës publike pengon të rinjtë dhe mbron ata që janë brenda sistemit. Sipas tij, në administratë punojnë injorantë me mesatare 6 dhe jo studentët që përfundojnë me mesatare 9.

“Imagjinoni një student që ka mbaruar me 9.5, 9.6, 9.8 dhe kanë bërë vaki që shkojnë të punojnë në call center për të mbajtur veten dhe familjen. Ndërkohë që injorantë me mesatare 6 punojnë në administratën publike. Ç’do të bëjmë, do t’i lëmë të ikin në Gjermani apo Itali?”, tha dje Majko.