DURRËS, 11 nëntor 2014– Sofia Loren, është konsideruar gjithmonë si një nga aktoret më të bukura të kinemasë, por pavarësisht kësaj, ajo është përballur me presion në mënyrë që t’i nënshtrohej kirurgjisë plastike. Gjatë kohës që ishte në Hollywood, drejtuesit e kinemasë i kanë kërkuar shpesh aktores që të ndryshonte hundën, por ajo ka kundërshtuar me forcë, duke besuar se ishte e bukur.

  “Ata më thonin që hunda ime ishte tepër e gjatë dhe goja shumë e madhe, por u thashë që nuk dua të ndryshoj asgjë në fytyrën time, sepse më pëlqen. Nëse duhet të  ndryshoj hundën time, atëherë kthehem në Pozzualoi”,-tregoi Loren për një agjenci mediatike. Në këtë çështje ishte përfshirë edhe bashkëshorti i aktores së famshme, Carlo Ponti, i cili i kërkonte shpesh që ajo t’i nënshtrohej kirurgjisë plastike, pasi mund të rrezikohej seriozisht karriera e saj. “Bashkëshorti im më thoshte se kameramanët ishin ankuar prej hundës duke më kërcënuar që do të lija Hollywoodin. Atë kohë ishte në modë hunda franceze, me një majë të vogël. Komentet rreth hundës sime nuk më lëndonin absolutisht, sepse kur unë besoj në diçka, është sikur me kanë shpallur luftë”- tregoi Sofia Loren për presionet e saj.