Nga BUJAR QESJA

Mbase se kisha në plan për t’u ulur dhe hedhur në telajon e mendimit fjalë për Kokomanët. Tema erdhi natyrshëm dhe shumë thjesht. Po qëndroja në “selinë” time tashmë të njohur prej dhjetë vitesh dhe po bisedoja me time shoqe Kostandinën për problematikat e ditës. Befas ndalon para nesh, një shok dhe mik i kahershëm.

-O, Sokol Kokomani! Hajde qëndro pak me ne, se na paska marrë malli!

Dhe Kokomani ynë i njohur, e çmoi këtë rast dhe pasi “parkoi” biçikletën duke përqafuar trungun e një peme, u ul në vëndin që i treguam.

Aty mësova, se koha e gjatë që nuk e kisha parë Sokol Kokomanin, ishte e justifikuar. I detyruar nga një dhimbje e padurueshme, në atë zonë të trupit që quhet ernie diskale, kishte kapërcyer në Italinë fqinje dhe me “vrap” tek vajza e tij mjeke në Firence. Prej më shumë se një vit, kuro të fuqishme, duke iu nështruar edhe akupunturës së famshme kineze, që përdoret gjërësisht në Itali . Dhe tani është bërë për të “kalëruar” me biçikiletë. Ia thashë Kolit:

-Për këtë i kam nez shqiptarët që janë në Itali, vetëm për mjeksinë e përparuar italiane. Është rrisku i mirë i tyre. Të gjejnë se çfarë ke dhe të bëjnë atë që duhet. Dhe efektet ndjehen menjëherë. Koli më tregoi të gjitha peripecitë që kishte kaluar, të cilat sigurisht sfumohen kur bëhesh mirë.

Kam qendruar disa herë me Sokolin, veçanërisht kur mori për pak javë drejtimin e Klubit të Futbollit “Teuta”. Kishim bërë plane me të, veçanërisht në promovimet e ndryshme sportive, me bazë historinë e futbollit durrsak. Koli ka mbaruar Universitetin e Tiranës, në degën e inxhinjerisë elektronike. Punoi si inxhinjer në rrjetin telefonik të qytetit, më pas kryeinxhinjer dhe drejtor. Për aftësitë dhe talentin në profesion, ngarkohet edhe me detyrën e nënkryetarit të Bashkisë së Durrësit dhe drejton këtu disa drejtori.

Në të gjitha mbeti po i njëjti. I shkathët, i mënçur në komunikim, masovik, me humor të lindur dhe një shok i domosdoshëm. Mbiemri i Sokolit është shumë i njohur-Kokomani. Dinastia e Kokomanëve është shumë e përmëndur në qytetin e Durrësit, mbi 200 vjeçare. Madje qytetarët e hershëm durrsak, e kanë vendosur “Kodrën e Kokomanëve”, si pikë referuese e qytetit. Atje janë pronat e hershme të këtij fisi, ndonëse kanë jetuar në banesat den baba den, prapa dhe përballë Gjykatës së Durrësit.

Shumë të njohur kanë qenë në Durrës katër vëllezërit Kokomani: Shabani, Hakiu, Ruzhdiu dhe Zeqiri. Kanë bërë punë të ndryshme, por u janë gjindur shumë durrsakëve. Është një fis shumë komunikues dhe me humor. Veçanërisht Hakiu, shok i vjetër me babain tim Xhafer Qesja, mbeti shumë popullor derisa mbylli sytë. Në vitet 1959-1961, Haki Kokomani ishte edhe Kryetar i Bashkisë së Durrësit. Drejtor i disa ndërmarjeve dhe e mbylli aktivitetin në Kavajë. Vëllezërit Kokomani shkonin aq mirë njëri me tjetrin, saqë një Durrës i mbante në gojë për të mirë.

Përfaqësues të tjerë të njohur të këtij fisi, janë edhe gjenerali Muharrem Kokomani dhe drejtori i parë i Radio Tiranës Fadil Kokomani, i cili u pushkatua nga sistemi i Hoxhës. Po kështu edhe Muharremi pati fatin e lig të ushtarakëve të njohur, të cilët u shkarkuan, u vranë dhe u persektuan në goditjet e vitit 1974. Ndërsa krahas katër vëllezërve Kokomani, Shabanit, Hakiut, Ruzhdiut dhe Zeqirit, janë të njohur edhe Demiri, Sula, Mudja – bashkëshortja e Nikolla Ramës etj.

Le të ndalemi tek Sokoli, i cili është me dy vvëllezër Lulin dhe Arianin, si dhe motrën e vetme Vjollcën. Më kishte rrëshqitur fakti, që Vjollca është bashkëshortja e shokut tonë të rinisë së gjimnazit dhe të kohës kur luanim futboll, ekonomistit me përvojë Fadil Gripshi. Tek Sokoli ende lexonim dhimbjen dhe trishtimin e madh, pas largimit nga jeta në mënyrë të papritur, të vëllait të tretë Arian Kokomanit. Një djalë energjik, shumë popullor, me aftësi të rralla miqësore. U bënë tri vite që Ari nuk është më ndërmjet nesh, duke lënë pas një kujtim të çmuar. Përderisa jemi këtu, nuk mund të lëmë në harresë një tjetër Kokoman, po aq i mirë sa edhe Ari. Është djali i Ruzhdi Kokomanit, Sazani. Ikja e tij na dhëmb. Një trup i bëshëm, që ngjason me legjendën e Mujo dhe Halilit. Zanin na e mori Covidi, duke na lënë fuqinë e kujtimit të tij.

Me Kolin kujtuam shokët e gjimnazit Ilmi Barometën, Met Xhezairin, Hajg Zaharianin, Hyq Çekanin, Ed Çirakun, Gëzim Bimin, Ariteo Pelinçin dhe lista është shumë e gjatë. Sokol Kokomani zotëron frëngjishten, anglishten, italishten dhe rusishten. Është shumë i aftë në zanatin e tij, si inxhinjer elektronik. Por zotëron në mënyrë të përsosur artin e komunikimit dhe të të qenurit njerëzor.

Diskutuam thënien e Kadaresë që “shqiptarët janë hileqarë dhe ziliqarë”. Hileqarë pasi kanë qenë të pushtuar që nga bizantinët, osmanët e gjithçfarësh dhe kanë patur mbi kurriz vuajtje dhe mundime. Pra donin t’i shmangnin ato. Ziliqarë, pasi duke qenë të varfër, kërkonin të ishin më mirë, të ushqeheshin më mirë, të visheshin më mirë, të paguheshin më mirë.

Biseda kapi gjuhën shqipe, si mund ta ruajmë nga neologjizmat. Iu falëm rolit aktiv të gjuhëtarëve të kalibrit dhe personaliteteve të gjuhësisë shqipe si Aleksandër Xhuvani dhe Eqerem Çabej, duke kujtuar Edit Durham-in e shekullit 19 –të dhe 20-të këtë udhëtare, artiste dhe shkrimtare britanike, që u bë e famshme për shkrimet e saj antropologjike rreth jetës në trojet shqiptare.

Duke qenë një intelektual dhe kuadër i njohur, ishte krejt e natyrshme që biseda e jonë të përqëndrohej edhe tek qytetaria durrsake, tek respekti dhe mirnjohja ndaj njerëzve që i kanë dhënë qytetit, por edhe tek mosharresa e atyre që nuk jetojnë, por që ndihmesa e dhënë në jetën shumëplanëshe të Durrësit mbetet historike.

Kokomanët e Durrësit! Fis i madh, me shumë degëzime, me angazhime të çmuara në këtë qytet tonin. “Kodra e Kokomanëve” mbetet si çadra historike i një qyteti të çivilizuar, që e ka në kujtesën e patjetërsuar. Koli në marsin e vitit që vjen, mbush 70 vjeç. Dhe brezi pas baballarëve tanë po plaket, por mbetet i detyruar në kujtesën dhe mos harresën e tyre. Kjo vjen si një amanet i pacënuar edhe në brezat pasardhëse. Vetëm kështu do të mund të ruajmë identitetin dhe traditat tona, të cilat kurrsesi nuk duhen të zbehen.

Durrsakët do të presin ardhjet e reja, s’ka rëndësi nga vijnë ato, por nuk duhet të harrojnë dhe të kujdesen vazhdimisht për këtë, për ata që bënë qytetin, e zhvilluan atë, i dhanë emër dhe identitet, i dhanë origjinalitet dhe qytetari, i dhanë atë që munden. Dhe ne të tjerët duhet të bëjmë të njëjtën gjë.

Për këtë folëm me shokun dhe mikun tim të vjetër Sokol Kokomanin. Më gëzoi që ishte mirë me shëndet. Kjo do të thotë, se takimet dhe bisedat tona të mëpasme, do të jenë po të tilla, plot mall, plot sentiment, plot ngarkesa dhe pse jo edhe me tronditje dhe dhimbje.

Kokomanët! Sa mirë bëmë që i kujtuam!