Përqafimi i parë tresh, me Stelinin, në emër të stafit, dhe Orialin, shprehës i fjalës së drejtuesve dhe interizmit, ka nisur prej tij përtej çdo dyshimi. Më pas radhën e ka pasur skuadra: i pari Lautaro, i zëvendësuar dhe i zhgënjyer, pas disa rasteve për gol të gabuara. Më pas Lukaku, hajmali e gjithë skuadrës.

Në fund, pati radhë edhe për përshëndetjen me tifozët, me të cilët Antonio Konte ka festuar duke shfryrë energjinë e mbetur: i vetëm, nga mesi i fushës, i kthyer nga flamujt zikaltër. “Kam pak filtra”, u shpreh në konferencë. “Jam ashtu siç më shikoni. Kisha nevojë të shkarkoja një tension jo të lehtë dhe zgjodha fansat, që imagjinoj vuajtën po aq sa unë”.

Konte tregoi, në ato pak sekonda që kaluan nga goli i Sampdorias te dy zëvendësimet e Lukakut dhe D’Ambrozios, se përse kërkoi 11 milionë euro në sezon si pagë dhe përse gjeti menjëherë dikë që të pranonte ofertën.Ndryshimet me të cilët vulosi ndeshjen dhe riktheu skuadrën në rrugën e duhur vlejtën sa vetë fitorja. Dhe barazoi një rekord që për zikaltrit zgjaste nga koha e Helenio Herrerës, në kampionatin 1966-’67. Gjashtë fitore në gjashtë ndeshje jo vetëm nënkuptojnë 18 pikë, por edhe një vetëdije të re dhe një status të ri përpara sfidave të radhës me Barcelonën dhe Juventusin.Interi ka një mentalitet të rinovuar, di t’u përgjigjet vështirësive dhe të përballet me situatat.

Ka zgjidhje të ndryshme dhe polivalente në sulm (ku nuk është parë ende më e mira e Lautaros) dhe mbi të gjitha mund të mbështetet në një mesfushë me rendiment të lartë po aq sa konstant. Sensi është pa dyshim i pari i klasës, me një vazhdimësi veprimesh klasi të jashtëzakonshme, por edhe Brozoviç në Gjenovë nuk mbetej prapa, mes pasimeve filtruese dhe rikuperimeve.

Goli i Roberto Galjardinit është një sinjal pozitiv, sepse në skuadër një lojtar me aftësitë e tij fizike nuk ekziston dhe mund të shërbejë shumë. Pa harruar soliditetin në mbrojtje, i konsideruar gjithmonë si pikënisje dhe e konfirmuar nga faktet, pavarësisht se pika e referimit të repartit, Milan Shkrinjar, ka humbur disa siguri.

Debutimi i Alesandro Bastonit, i njollosur nga një karton i verdhë pas 5 minutash, ka qenë pozitiv dhe inkurajues: “E kërkoi gjysma e Serisë A, vendosa unë veton”, zbuloi Konte. “Është e ardhmja, por edhe e tashmja”. Kundër Barçës rikthehet Diego Godin, i cilësuar si lider karizmatik. Karakteristikë që në këtë periudhë, në ambientet zikaltër, po shtohet te të gjithë.