DURRËS, 4 shkurt 2014 – Kompania kanadeze “Stream Oil & Gas” Ltd (TSXV: SKO) njofton se mbërriti në Shqipëri, u zhdoganua dhe është rrugës drejt burimit gazmbajtës të Delvinës në pritje të datës për fillimin e shpimit në mars 2014 kompleksi i pajisjeve të shpimit për punimet në pusin e parë horizontal të gazit në Delvinë (D34H1). Njëkohësisht, “Stream”-i po ndjek strategji të ndryshme për të vënë në punë puset ekzistuese të nxjerrjes së gazit Delvina D12 dhe D4. Kompleksi i pajisjeve hidraulike për shpimin e pusit për nxjerrjen e gazit D34H1 mbërriti në portin e Durrësit në fund të janarit 2014. Gjatë disa muajve të kaluar, “Stream”-i përfundoi të gjitha punimet përgatitore në vendin e pusit, si edhe objektet e nevojshme mbështetëse vendore. Pusi D34H1 është në pritje të datës për fillimin e shpimit në mars 2014dhe testimit në qershor 2014, pas finalizimit të operacioneve të shpimit dhe kompletimeve. Gazi i prodhuar nga pusi D34H1 do të dërgohet në centralin e energjisë elektrike të instaluar në Delvinë me anë të një tubacioni të ri me gjatësi 500 ml. Në të njëjtën kohë, kompania “Thermo Energy Albania” me seli në Tiranë, po planifikon të rritë potencialin e energjisë e energjisë në megavat të centralit. Prodhimi i kondensatit nga pusi do të shitet fillimisht gjithashtu në tregun vendas. Kjo do të mundësojë një testim më afatgjatë të pusit për të pasur më shumë siguri në potencialin e prodhimit të pusit.
Info 1
Sipas “raportit ditor të anijeve të transportit”, datë 27 janar 2014, ora 15:26 të dispeçerisë së APD sha, anija “BBC Colorado” me 421 tonë makineri (sondë për shpime nafe e gazi për llogari të “Stream Oil”-it), u bregëzua ora 14,50’ në kalatën nr. 5 (terminali perëndimor i mallrave të përgjithshme / gjenerale), ku po shkarkohej nga kompania aksionare shqiptare e ngarkim-shkarkimit “Egnatia 1”. Sikurse ka shkruar “Dyrrah”-u (shih: durreslajm.com/investigim/shkelet-master-plani-anija-me-sonde-nafte-cohet-te-kromi) gazeta ka lexuar, jo pa habi, në raportin ditor të anijeve të transportit se anija “BBC Colorado” ishte planifikuar nga ana e drejtorisë së përgjithshme ekzekutive të APD sha të shkarkonte 421 tonë makineri në kalatën nr. 11 (terminali lindor), i destinuar, në bazë të master-planit, për minerale.
Info 2
Marrëveshja: Më 21 shkurt 2013, kompania kanadeze “Oil & Gas Stream” bëri të ditur se ka nënshkruar një marrëveshje për shitjen e gazit natyror nga vendburimi i saj në Delvinë për nevojat e një TEC-i të ri që do të ndërtohet po në Delvinë. Marrëveshja parashikon lëvrimin e gazit në sasi të mjaftueshme për prodhim energjie elektrike me 100 për qind gaz në një termocentral me kapacitet 24 megavat në Delvinë, objekt që synon ta zhvillojë dhe ndërtojë kompania “Thermo Energy Albania”. Lëvrimi i gazit pritej të fillonte në tremujorin e dytë të vitit 2013. Marrëveshja ka afat njëvjeçar, kohë në të cilën palët do të takoheshin për të negociuar një marrëveshje afatgjatë të bazuar në çmimet e tregut dhe sasitë përkatëse. “Nënshkrimi i kësaj marrëveshjeje është hap i madh përpara në zhvillimin e vendburimit të Delvinës”, tha në një deklaratë presidenti dhe njëkohësisht drejtori i kompanisë “Stream Oil & Gas”, Sotirios Kapotas. TEC-i i ardhshëm, që do të prodhojë energji nga gazi, do të jetë i pari në llojin e vet që do të ndërtohet në Shqipëri, e cila aktualisht prodhon rreth 95 për qind të energjisë me HEC-et ekzistuese dhe importe shtesë energjie për të balancuar kërkesën e brendshme dhe prodhimin e energjisë gjatë periudhave me thatësira, tha “Oil & Gas Stream”.
Kompania “Thermo Energy Albania”: u krijua më 3 qershor 2011. Sipas deklarimit në QKR, merret me “Prodhimin dhe tregtimin e energjisë. Ndërtimin e termocentralit, çdo ndërtim tjetër të nevojshëm si dhe instalimin e makinerive dhe pajisjeve për arritjen e qëllimit. Shpërndarjen dhe marketingun e energjisë si dhe bashkëpunimin me agjenci apo dhe me kompani të tjera. Tregtimin e gazit natyror dhe lëndëve të tjera djegëse, ose materiale të tjera të para të përdorura për prodhimin e energjisë. Importin e makinerive dhe materialeve të tjera të nevojshme për të prodhuar energji elektrike”. Përfaqësues ligjor Konstantinos Kostopoulos.
“Oil & Gas Stream”:Kompani prodhimi, zhvillimi dhe kërkimi për naftë dhe gaz. U themelua në Kanada në vitin 2007 dhe aktivitetet e saj kryesore i ka në Shqipëri. Zotëron licencë 25-vjeçare për zhvillimin, prodhimin dhe shitjen e naftës dhe gazit nga vendburimi i gazit në Delvinë dhe fushat naftëmbajtëse Cakran-Mollaj, Ballsh-Hekal dhe Gorisht-Kocul, qysh nga viti 2007. Kompania “Stream Oil” për kërkime nafte në tokë në Delvinë, është në kufi me Greqinë, zonën e kërkimit në det Joni-5. Ndërkaq Presidenti Kapotas është me origjinë greke dhe ka punuar me francezen “Total”. Anëtarë të Bordit është edhe George Mortakis-Martakis, aktualisht është edhe drejtor i përgjithshëm i “Intesa San Paolo Bank”, Greqi (ish-“American Bank of Albania”). Njeriu që futi “Stream Oil”-in, Fatbardh Ademi, zëvendësdrejtor i përgjithshëm për Shqipërinë ka qenë drejtor i Drejtorisë së Hidrokarbureve pranë Agjencisë Kombëtare të Burimeve Natyrore. Zëvendëspresidenti Arian Tartari ka bashkëjetuar me këshilltaren e Kryeministrit shqiptar Sali Berisha, deputeten e Durrësit, Albana Vokshi, kur mori dhe licencën për kompaninë kanadeze.
Info 3/ Disa nga anëtarët e menaxhmentit të “Stream Oil”-it
Dr. Sotiris Kapotas, Kryetari i Bordit të Drejtorëve: ka mbi 20 vjet përvojë në industrinë e naftës. Ka qenë administrator me kompaninë TOTAL SA [kompani franceze shumëkombëshe e kërkim dhe nxjerrjes së gazit dhe një nga gjashtë kompanitë e quajtura tepër të mëdha super të mëdha (Supermajor) të naftës në botë] dhe ka qenë President dhe drejtor i përgjithshëm ekzekutiv i “LandTech”, kompani shërbimesh në sektorin e energjisë, për më se 7 vjet.
George Mortakis-Martakis, Drejtor: Aktualisht është edhe drejtor i përgjithshëm i “Intesa San Paolo Bank”, Greqi (ish-“American Bank of Albania”). Ka pasur përvojë tregtare të gjerë dhe financiare brenda grupit American Express
Fatbardh Ademi, zëvendësdrejtor i përgjithshëm për Shqipërinë: ka qenë drejtor i Drejtorisë së Hidrokarbureve pranë AKBN-së (Agjencia Kombëtare e Burimeve Natyrore) dhe ka 30 vjet përvojë me teknologjinë vendase dhe perëndimore dhe praktikën e biznesit.
Arian Tartari, zëvendëspresident: diplomuar në fakultetin e ekonomisë së universitetit të Tiranës, me përvojë të suksesshme në 19 vjetët e fundit në sektorin e biznesit shqiptar. /Sipas sajtit të kompanisë/
Info 4/ Opinion Nga Med Tahiri*: KJO KOMPANI RRECKAMANE.
Kompanitë me reputacion që erdhën në Shqipëri, u përjashtuan nga koncesionet e parcelave të vendburimeve ose iu dhanë parcela kërkimesh në sipërfaqe të reja të paeksploruara dhe ku risku i zbulimit të naftës e gazit ishte i lartë dhe pushtetarët nuk kishin ndonjë interes, sepse këto kompani i paguanin vetëm ca para shtetit për blerjen e paketave me të dhënat gjeologjike. Pra, me kompanitë serioze dhe me reputacion, nuk kishte ndonjë perspektivë të mirë për të zhvilluar korrupsionin. Maksimumi që mund të bënin këto kompani, jepnin ndonjë stilolaps ose shtronin vetëm ndonjë drekë apo darkë në restorantet më të mira, gjë qe nuk ishte e mjaftueshme për qeveritarët e pas-1992-shit. Po ashtu këto kompani serioze nuk e ulnin reputacionin e tyre dhe të merreshin me banda hajdutësh qeveritarë të korruptuar, kriminelë dhe halabakë, sepse nuk e kanë në protokollin e tyre. Në shtetet serioze, në rast se kërkon nje koncesion biznesi, kuptohet që jep ryshfet ose bene veprime monetare që e favorizojnë atë për të fituar një tender, asaj kompanie i hiqet ligjërisht e drejta e biznesit. Këto ishin arsyet që pasuria kolosale e pallogaritshme [shqiptare e nëntokës] përfundoi në duart e këtyre kompanive pa reputacion dhe eksperiencë. Ato erdhën në Shqipëri “pa-brekë-në-bythë” dhe sot stoqet e tyre kanë njohur vetëm rritje duke kapur majat më të larta bile më të larta se të kompanive me reputacion si BP, “Shell” etj… Fillimisht, për të futur në lojë “Stream Oil”-in në territorin shqiptar dhe për ta “darovitur” më vonë me vendburimin e naftës, mafiozet e mësuan atë dhe A. Tartarin apo deputeten e famshme Vokshi që të kërkonte parcela kërkimi ku të përfshiheshin Delvina, Dumrea, Panajaja, Velça. Por “shorti dhe fati” e deshi fort këtë kompani rreckamane që u krijua enkas. Qeveritarët bënë çmos dhe i dhanë shpërblim për kërkesën që bëri vendburimin e Delvinës, sepse aty perspektiva ishte e qartë dhe ai ishte qëllimi që ajo kompani paraqiti kërkesën duke e përfshirë këtë vendburim në parcelat e kërkimit. Pra, ky vendburim qëllimisht ishte përfshirë në parcelat e kërkimit, kur dihej që ishte pasuri e Albpetrolit. Pra, me gurin që mafiozët hodhën, futën “Stream Oil”-in për të kërkuar naftë në Shqipëri dhe ndërkohë e pozicionuan aty ku e kishin planifikuar, në fushën e vendburimeve duke e filluar fillimisht me Delvinën. Vendburimi i Delvinës që mori “Stream Oil”-i, ishte i zbuluar dhe prodhonte jo shumë, por nafta ishte e hollë e tipit kondensat dhe gaz. Por edhe socializmi kishte investuar për këtë vendburim duke ndërtuar tubacionin që e sillte gazin deri në qytetin e Ballshit, pikërisht në veprën e përpunimit të thellë të naftës. Investimet që “Stream Oil”-i premtoi se do të bënte në këtë vendburim për të shpuar puse apo për të ngritur një termocentral në Delvinë për prodhimin e energjisë elektrike, nuk kanë shumë rëndësi. Ato nuk u bënë sipas planit dhe menjëherë, sepse kompania nuk kishte para, ishte e varfër, prandaj ajo fillimisht duhej të pasurohej dhe pastaj po ta shikonte të arsyeshme mund të shponte ndonjë pus për ta zhvilluar këtë vendburim. Pra, fitim më se të sigurt dhe korrupsion më të pastër vështirë se mund të gjesh. Sa për Dumrenë, Velçën, apo Panajanë që ishin të përfshira në kërkesën e “Stream Oil”-it ishin vetëm si garnitura e tortës së përgatitur nga qeveritarët dhe Albpetroli i asaj kohe për të zbukuruar këtë kompani. Në Dumre dhe Velçë, në kohën e socializmit, Albpetroli ka shpuar puse të thella dhe ka bërë investime kolosale, por ende nuk ka një rezultat e perspektivë të qartë… Në Panaja, vetë prof. dr. Ilia Fili, njëkohësisht dhe ish-numri një i Albpetrolit, që merrej me lojën e kontratave, ka projektuar e shpuar disa puse dhe ka thyer kokën, ai e di mire perspektivën e kësaj zone, ku vetem një pus dha gaz. Lind pyetja: A ishte në rregull nga trutë dr. Kapotas apo A. Tartari dhe kaq e fuqishme financiarisht kompania e tyre “Stream Oil” saqë të investonte në këto objekte kërkimi me risk shumë të madh? Për mua kjo kompani e sapokrijuar nuk kishte asnjë kacidhe në xhep dhe dr. Kapotas apo A. Tartari nuk ishin budallenj. Le të më kundërshtojë Albetroli apo ndonjëri prej specialisteve të naftës që i njohin mirë këto objekte kërkimi.
* Petroleum Geologist, USA (fragmente nga një koment i gjatë në shekulli.com.al/web/p.php?id=38977&kat=92)
/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/





