*Ekip i përbashkët arkeologësh shqiptaro-francezë sondazhe mbi fazat e fortifikimeve të qytetit të Durrësit!
Në themelet e kalasë së vjetër të Durrësit, në afërsi të Torrës Veneciane dhe pikërisht pas vendit ku ndodhet busti i skulptorit Sabri Tuçi, po kryhen sondazhe arkeologjike nga një ekip arkeologësh. Mësohet se këto sondazhe po kryhen nga një ekip i përbashkët i arkeologëve shqiptaro – francezë. Këto punime që janë kryer në këto ditë, janë pjesë e një pune të bashkërenduar që po bëhet në kuadër të projektit arkeologjik “Topografia e Epidamne-Dyrrachion”. Një bashkëpunim i frutshëm mes Institutit Arkeologjik Shqiptar dhe Universitetit Lyon 2, financuar nga Ministria e Punëve të Jashtme Franceze.
Bashkëdrejtuesi i projektit arkeologu Eduard Shehi, bën me dije se janë disa vite që në sezonin e verës janë kryer sondazhe të tilla. Aktualisht, thekson Shehu, në komunikimin telefonik me redaksinë, sondazhi po vijon pranë mureve fortifikuese të Durrësit, për të saktësuar nëpërmjet tij fazat e ndryshme ndërtimore të këtyre fortifikimeve. Puna është në vazhdim. Deri tani punimet kanë shkuar deri në rreth 2.5 metra thellësi, por kanë dalë si problem ujërat e shumta që kanë shpërthyer në zonën e sonduar. Pas verifikimeve të bëra nga Ujësjellësi i Durrësit është mësuar se këto janë ujëra që nuk kanë lidhje me rrjetin e furnizimit me ujë në qytet. Prandaj dyshohet se i përkasin strukturave argjilore ujëmbajtëse të kodrave të qytetit që zbresin deri në këtë zonë ku dhe kanë shpërthyer.
Ujërat kanë penguar seriozisht gërmimet pasi burimi i sapo gjetur, ka një debat të madh prurjesh që dalin nga nëntoka, megjithëse po punohet per të thithur ujin me pompa të fuqishme. Sipas Shehut, punimet e këtij viti janë 4-javore, ndërsa ai bën me dije se ky është një projekt 5-vjeçar Shqiptaro-Franceze që do të vijojë edhe në vitet në vazhdim.
K.H.