18 qershor 2015 – E majta shqiptare fiton pjesën dërmuese të njësive vendore të mëdha dhe të mesme në Shqipëri, ndërsa e djathta pritet të fitojë rreth 12 bashki në të gjithë vendin. Partia Socialiste dhe Lëvizja Socialiste për Integrim, të cilat përbëjnë boshtin e koalicionit të majtë, fitojnë bindshëm në Tiranë, Elbasan, Vlorë, Durrës, Vorë dhe Kavajë, ndërsa dominojnë me një diferencë të ngushtë në Bashkinë e Shkodrës.
Sipas një sondazhi të realizuar nga gazeta ‘SOT’, në bashkëpunim me kompaninë e huaj të sondazheve ‘CBS’, kandidati i koalicionit të majtë, Erion Veliaj, fiton me një diferencë të thellë votash ndaj kandidatit të koalicionit të djathtë, Halim Kosova.
Konkretisht, kandidati i së majtës, Erion Veliaj, rezulton fitues me 52.1 përqind të votave, ndërsa kandidati i Partisë Demokratike, Halim Kosova, merr vetëm 17.2 përqind të votave.
Durrësi, Vlora dhe Elbasani
Në bashkitë e Durrësit, Vlorës dhe Elbasanit nuk ka garë. Sipas sondazhit të zhvilluar nga gazeta ‘SOT’, kandidatët e së majtës fitojnë me një diferencë të thellë ndaj kandidatëve të opozitës.
Kështu, kandidati i së majtës në Elbasan, Qazim Sejdini, sipas sondazhit, fiton me mbi 70 përqind të votave. Konkretisht, 72.6 % përqind e të pyeturve në Elbasan, u shprehën se do të votojnë për Qazim Sejdinin. Në Elbasan janë pyetur 400 qytetarë, ku 288 qytetarë kanë deklaruar se do të votojnë për Qazim Sejdinin, ndërsa 72 qytetarë pohuan se do të votojnë Ardian Turkun, përthyer në përqindje, rreth 18 përqind. Pjesa tjetër e të pyeturve janë të pavendosur dhe qytetarë, të cilët nuk do të marrin pjesë në votim.
Vangjush Dako fiton me 51.1 përqind të votave në Durrës përballë Grida Dumës, e cila merr 25.4 përqind të votave. Konkretisht, nga 350 qytetarë të pyetur mbi 18 vjeç, Vangjush Dako merr 179 vota, ndërsa 89 qytetarë shprehen se do të votonin Grida Dumën. Të pavendosur janë 42 qytetarë, ndërsa 39 qytetarë shprehen se nuk do të marrin pjesë në votim.
/Gazeta ‘Sot’/