Ministri i Financave dhe Ekonomisë, Ervin Mete, mori pjesë në eventin e prezantimit të gjetjeve të anketimit të Shoqatës së Investitorëve të Huaj në Shqipëri (FIAA) “Mjedisi i biznesit në Shqipëri 2023”.

Ministri vlerësoi anketimin e realizuar nga FIAA, i cili vëren përmirësim të ndjeshëm në vlerësimin e përgjithshëm të klimës së të bërit biznes dhe pritshmëritë për përmirësim të mëtejshëm.

“Përmirësimi i një sërë treguesve të anketimit, si ato që kanë të bëjnë me marrëdhëniet me administratën tatimore e doganore, nivelin e transparencës, konkurrencën, si edhe nivelin e burokracisë me të cilën përballen bizneset, dëshmojnë se kemi pasur rezultate pozitive në këtë drejtim”, tha Mete, ndërsa pohoi se mbeten ende hapësira për përmirësim të mëtejshëm.

Më tej, ministri i financave u shpreh se do të adresohet me politika konkrete edhe problemi i fuqisë punëtore të shprehur nga investitorët e huaj.

“Sigurisht që ka hapësirë për përmirësim të mëtejshëm. Niveli i kualifikimit të punonjësve të rinj dhe aksesi në forcën e kualifikuar të punës janë dy aspekte të evidentuara në anketimin tuaj, për të cilat kërkohet më shumë angazhim edhe nga ana jonë përmes politikave dhe nismave të caktuara për të rritur aftësimin profesional dhe për të stimuluar pjesëmarrjen e të rinjve në tregun e punës”, tha z.Mete.

Ndërkohë përpara investiroëve të huaj dhe aktorëve të ndryshëm të biznesit z.Mete bëri me dije se ka filluar puna për një ligj të ri për investitorët, në sektorët më të rëndësishëm, ndërsa kjo pritet të zëvendësojë ligjin aktual për “investitorët strategjikë”, që ka patur mjaft kontestime

“Ne jemi duke avancuar gjithashtu me një kuadër rregullator ligjor që i përafrohet Bashkimit Europian pasi një kuadër i tillë është një garanci më shumë për investitorët dhe i ndihmon ata të jenë më të mbrojtur dhe të orientojnë më drejt planet e tyre të investimit.

Në këtë drejtim, po punohet gjithashtu për hartimin e një kuadri të ri ligjor për një ligji të unifikuar të investimeve, i cili synon ta bëjë Shqipërinë akoma edhe më tërheqëse për investitorët e huaj, duke stimuluar investimet në përgjithësi dhe investimet në sektorë prioritarë”, shtoi më tej Mete në deklaratën e tij.