TIRANE – Një sondazh i organizuar nga Qendra e Kërkimeve Shkencore dhe të Dhënave “Albstat” dhe i publikuar nga Tema Online tregon se nëse zgjedhjet do zhvilloheshin sot, Partia Socialiste do të marrë 40.4 përqind, ndërsa së bashku me gjithë forcat që kërkojnë ndryshimin rezultati mund të shkojë në 60 përqind.

Nga përgjigjet e të anketuarve, rezultoi se 77.1% e tyre do të merrnin sot pjesë në zgjedhje, ndërsa 67.7% deklaruan edhe se për cilën parti do të votonin.

Nga preferencat e atyre që e deklaruan votën, konstatohet se PS-ja mbetet në kuotat e zgjedhjeve të 2009-ës, ndërsa PD-ja duket se ka pasur një rrjedhje që është kanalizuar kryesisht drejt dy partive të reja. Vihet re ngritja në pikiatë e AK dhe një garë kokë më kokë e FRD me LSI. Për të anketuarit që u shprehën se do të merrnin sot pjesë në zgjedhje, por që nuk e deklaruan preferencën për partitë, nuk kemi informacion të mjaftueshëm të parashikojmë se nga mund të anojnë.

Sondazhi u zhvillua me vizita në shtëpitë e të anketuarve, bazuar në një kampion statistikor të përbërë nga 1100 votues, 600 prej të cilëve banojnë në zonat urbane dhe 500 në zonat rurale.

 

Preferencat e të anketuarve për partitë politike

PS               40.40%

PD               31.40%

AK               15.20%

LSI               4.90%

FRD              4.90%

PDIU             0.60%

Parti të tjera 2.60%

Metodologjia e përzgjedhjes së kampionit statistikor

Qendrat e votimit të zonave urbane dhe rurale u renditën veç e veç nga veriu në jug të Shqipërisë. Nga 2221 qendrat urbane të votimit, të renditura si më sipër, u zgjodhën 30, nga një në çdo 74 qendra (e para e 74-ta, e 148-ta e kështu me radhë). Në çdo qendër votimi të përzgjedhur u anketuan 20 votues të zgjedhur krejt rastësisht sipas gjinisë dhe grupmoshave. Në mënyrë të njejtë, nga 2476 qendrat e votimit rural u zgjodhën 50 dhe u anketuan nga 10 votues për secilën. Një përzgjedhje e tillë realizon një kampion përfaqësues nga pikëpamja gjeografike dhe demografike. Marzhi i gabimit statistikor të kampionit për dy partitë e mëdha është 3.4%. Për partitë e vogla është më i vogël.